“Partia është e hapur, por…”, Berisha ‘thumbon’ Salianjin: S’na merr dot kush nëpër këmbë, s’ua kemi borxh

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë Foltores së zhvilluar në Korçë, ka komentuar hapur zërat kritikë brenda partisë dhe lëvizjet e fundit politike, duke dërguar një mesazh të qartë edhe ndaj ish-deputetit Ervin Salianji, pa e përmendur drejtpërdrejt emrin.

Tema e përçarjeve dhe kundërshtive brenda PD-së u ngrit nga disa qytetarë të pranishëm në sallë, të cilët i kërkuan Berishës të tregonte kujdes ndaj personave që, sipas tyre, po dëmtojnë partinë nga brenda. Në përgjigje, kreu i selisë blu theksoi se është në dijeni të plotë të situatës dhe se disa individë kanë kaluar vijat e kuqe.

“Ne pranojmë kritika, i dëgjojmë demokratët dhe i marrim seriozisht. Por ka nga ata që kanë kaluar vijat e kuqe. Nuk na merr dot kush nëpër këmbë. Ka rregulla. Partia është e hapur, por gjërat thuhen hapur dhe brenda saj,” u shpreh Berisha.

Ai nënvizoi se Partia Demokratike nuk mund të merret peng nga interesa personale apo lëvizje individuale, duke theksuar se opozita ka vetëm një interes: lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve.

“Kjo opozitë nuk ka interesa të tjera përveç lirisë dhe dinjitetit. Secili mund të ketë bizneset apo interesat e veta, por të na tërheqë partinë pas interesave personale, kjo nuk ndodh. Partia nuk u ka borxh askujt,” deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së shtoi se problemet dhe pakënaqësitë janë të mirëpritura, por vetëm nëse trajtohen brenda strukturave të partisë dhe jo përmes daljeve publike që, sipas tij, i shërbejnë kundërshtarit politik.

“Të shprehësh mendim dhe problem është e drejtë, por brenda partisë. Të dalësh jashtë dhe të flasësh kundër saj, kjo nuk mund të pranohet. Këta janë të paktë dhe nuk përfaqësojnë shumicën e demokratëve,” theksoi ai.

Në përfundim, Berisha shprehu bindjen se Partia Demokratike do të dalë sërish fituese, ashtu siç ndodhi me Foltoren e parë, duke shtuar se qeveria aktuale dhe mazhoranca janë “të dënuara politikisht”.

“Ne e fituam Foltoren e parë dhe do ta fitojmë edhe këtë. Rama dhe Rilindja janë kufoma politike dhe do të largohen,” u shpreh Berisha, duke mbyllur takimin me ceremoninë e 35-vjetorit të degës së PD-së në Korçë dhe ndarjen e certifikatave të mirënjohjes për veteranët e partisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related