“Dënimi yt është i pakthyeshëm”, Berisha paralajmëron Ramën: Fundi i qeverisë është i pashmangshëm

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka bërë thirrje nga Korça kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen, duke deklaruar se fundi i qeverisë është i pashmangshëm dhe se dënimi politik ndaj tij është i pakthyeshëm.

Gjatë fjalës së mbajtur në takimin e Foltores me mbështetësit demokratë, Berisha u shpreh se qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin dhe se qytetarët janë gjithnjë e më të vendosur për largimin e saj nga pushteti përmes protestave paqësore.

Sipas tij, Rama dhe mazhoranca janë politikisht të mbaruar dhe përfaqësojnë një pushtet të lidhur me korrupsionin, abuzimet dhe varfërimin e qytetarëve.

“Edi Rama i ka ditët e numëruara. Dënimi yt politik është pa kthim dhe kapital. Nuk ka më asnjë forcë që të mban në pushtet”, deklaroi Berisha, duke e cilësuar qeverinë si një strukturë që duhet të largohet nga historia.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Korçës dhe gjithë shqiptarëve që të angazhohen në protesta paqësore dhe të qëndrueshme, duke theksuar se vetëm përmes qëndresës qytetare mund të arrihet ndryshimi politik.

Berisha foli edhe për situatën ekonomike dhe shpopullimin e vendit, duke thënë se Shqipëria po varfërohet pavarësisht pasurive natyrore që ka, ndërsa familja dhe vlerat tradicionale, sipas tij, janë vënë në rrezik nga politikat qeveritare.

Në përfundim, kreu i opozitës u shpreh se Partia Demokratike dhe opozita janë në anën e drejtë të historisë dhe se muajt në vijim do të jenë vendimtarë për largimin e qeverisë nga pushteti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related