“Shuplaka” e FMN-së: Turizmi po e fut ekonominë shqiptare në kurthin e varfërisë

Data

Edhe pse qeveria e paraqet turizmin si suksesin më të madh ekonomik, Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se rritja e shpejtë e këtij sektori po krijon rreziqe serioze afatgjata për ekonominë shqiptare, duke e bllokuar në nivele të ulëta produktiviteti dhe pagash.

Në raportin e fundit për Shqipërinë, FMN vëren se vendi po përjeton një zhvendosje problematike të fuqisë punëtore drejt shërbimeve turistike, sektorë që zakonisht kanë produktivitet më të ulët krahasuar me prodhimin dhe industrinë.

Sipas raportit, Shqipëria po kalon nga një sektor me produktivitet të dobët, si fasoneria, drejt një tjetri po ashtu problematik në aspektin e vlerës së shtuar, si turizmi. Ky ndryshim strukturor nuk po sjell rritje reale të produktivitetit, por thjesht po zëvendëson një model ekonomik të dobët me një tjetër.

Për më shumë se dy dekada, një pjesë e madhe e fuqisë punëtore ishte e punësuar në fasoneri, me paga minimale dhe pa perspektivë zhvillimi. Sot, ndërsa ky sektor po tkurret, turizmi po merr rolin kryesor, por pa garantuar paga më të larta apo përmirësim të qëndrueshëm ekonomik.

FMN thekson gjithashtu se rritja e produktivitetit në Shqipëri pengohet nga shpenzimet shumë të ulëta për kërkim dhe zhvillim, si dhe nga dobësitë serioze në sistemin arsimor dhe trajnimin profesional. Pjesëmarrja në të mësuarit gjatë gjithë jetës është e ulët, rezultatet e nxënësve janë nën mesataren e rajonit dhe të BE-së, ndërsa shumë shkolla mbeten të pafinancuara dhe pa staf të kualifikuar.

Shkollat profesionale funksionojnë vetëm në një pjesë të vogël të bashkive dhe bashkëpunimi me biznesin mbetet i kufizuar, duke e bërë të vështirë krijimin e një force punëtore të kualifikuar.

Të dhënat tregojnë se prodhimi vjetor për punonjës në Shqipëri është mesatarisht nën 20 mijë dollarë, dukshëm më i ulët se mesatarja e Ballkanit Perëndimor dhe shumë larg standardeve të Bashkimit Europian.

Sipas FMN-së, ky përqendrim i ekonomisë në sektorë me produktivitet të ulët mban pagat të ulëta për shumicën e qytetarëve dhe frenon rritjen ekonomike. Pa investime serioze në arsim, inovacion dhe industri me vlerë të shtuar, Shqipëria rrezikon të mbetet e bllokuar në kurthin e të ardhurave të ulëta, pavarësisht rritjes së numrit të turistëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related