Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta nga foltorja në Manëz lidhur me dosjen e AKSHI-t, duke e cilësuar Ergys Agasin si “kryeministrin në hije”.
Sipas Berishës, Agasi – aktualisht me masë sigurie “arrest me burg” – ka ushtruar ndikim të jashtëzakonshëm në vendimmarrje, duke pritur në zyrën e tij zyrtarë të lartë shtetërorë, ministra, drejtorë dhe deri edhe gjyqtarë. “Zyra e Agasit ishte si zyra e kryeministrit. Shkonin ministra, gjykatës, zyrtarë të lartë. Agasi bënte ato që kryeministri nuk i bënte më ligj”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se ekziston një skemë grabitjeje tokash e lidhur me Agasin dhe Dallëndyshe Bicin, duke e cilësuar këtë si “një rrëmbim të tmerrshëm”. Ai shtoi se aktiviteti financiar i kompanive të lidhura me Agasin ka tejkaluar çdo imagjinatë, duke përmendur raste ku, sipas tij, ndërmarrje të regjistruara me kapital minimal kanë rezultuar me fitime qindra milionëshe brenda pak muajsh.
Berisha theksoi se fondet publike, sipas tij, janë devijuar dhe grabitur përmes këtyre skemave, ndërsa premtoi se një qeveri e ardhshme do t’i rikthejë këto para qytetarëve. “Shteti ka fonde, por ato nuk do të vidhen më siç po vidhen sot,” deklaroi ai, duke e quajtur rastin e AKSHI-t simbol të kapjes së shtetit dhe të një pushteti paralel.
