Emigracioni në nivele të larta nga Shqipëria lidhet drejtpërdrejt me mungesën e besimit të qytetarëve tek perspektiva ekonomike dhe sociale e vendit. Ky është vlerësimi i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i bërë publik në rishikimin e marrëveshjes me Shqipërinë.
Sipas FMN-së, Shqipëria ka përqindjen më të lartë në rajon të personave që deklarojnë se planifikojnë të emigrojnë brenda dekadës së ardhshme, ose madje brenda 12 muajve. Ky tregues, krahasuar me vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, sinjalizon dobësi serioze në tregun e punës dhe mungesë besimi në zhvillimin afatgjatë të vendit.
Fondi thekson se integrimi në Bashkimin Evropian, nëse ndodh pa rritjen e cilësisë së ekonomisë dhe të vlerës së punës, mund ta përforcojë edhe më shumë emigrimin. Në të kundërt, nëse rritet produktiviteti dhe pagat reale, integrimi do të sillte rritje të të ardhurave për frymë, ulje të papunësisë dhe frenim të largimit të popullsisë.
Aktualisht, të ardhurat për frymë në Shqipëri janë rreth 34% e mesatares së BE-së, një hendek shumë i thellë që tregon prapambetje strukturore. Rritja ekonomike, sipas FMN-së, ka qenë më shumë sasiore sesa cilësore, pa përmirësim të dukshëm të produktivitetit.
Emigrimi i të rinjve dhe rënia e popullsisë në moshë pune po ushtrojnë presion të fortë mbi ekonominë dhe perspektivën e rritjes. Shqipëria po përjeton një tkurrje demografike më të theksuar se vendet e tjera të rajonit, duke rrezikuar furnizimin afatgjatë me fuqi punëtore.
Produktiviteti për orë pune mbetet i ulët, informaliteti i lartë dhe vendet e punës të krijuara nuk kanë vlerë të shtuar të mjaftueshme. Ndërkohë, pagat në Shqipëri janë më të ulëtat në Europë, veçanërisht për punonjësit me arsim të lartë, duke nxitur emigrimin e trurit.
FMN thekson se rritja e pagës minimale ofron vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk është zgjidhje pa reforma të thella që rrisin produktivitetin, përmirësojnë qeverisjen dhe forcojnë sundimin e ligjit. Pa këto ndryshime, emigracioni pritet të mbetet një nga sfidat më të mëdha të vendit.
