Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes, nga Katedralja Orthodokse Autoqefale.
Gjatë prononcimit për mediat, Berisha theksoi se kjo ditë përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për besimtarët e krishterë, por edhe për historinë e qytetërimit botëror dhe veçanërisht atij perëndimor.
Ai shprehu nderimin dhe respektin e tij për kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Shqiptare, bashkëpunëtorët e tij dhe besimtarët ortodoksë në Shqipëri dhe kudo që ndodhen.
“Kjo është një ditë e madhe jo vetëm në historinë e krishterimit, por edhe në historinë e qytetërimit botëror dhe qytetërimit perëndimor në veçanti. Erdhi koha të shpreh urimet e mia dhe nderimin tim më të madh për kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Shqiptare, për bashkëpunëtorët e tij dhe për të gjithë besimtarët ortodoksë,” u shpreh Berisha.
Në mesazhin e tij, kreu i opozitës uroi që çdo shqiptar ta festojë Krishtlindjen me besim dhe shpresë, duke shprehur dëshirën që viti i ardhshëm të sjellë Krishtlindje më të mira për të gjithë.
“Uroj çdo shqiptar që këtë vit ta festojë Krishtlindjen me besim dhe shpresë për Krishtlindje më të mira vitin e ardhshëm. Gëzuar,” përfundoi Berisha.
