Institucioni i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po intensifikon punën për të zbardhur disa nga çështjet më të ndjeshme dhe të komplikuara që kanë tronditur skenën politike dhe institucionale të Shqipërisë
Ndërsa afrohet viti 2025, që konsiderohet vendimtar për të ardhmen e vendit dhe integrimin evropian, disa prej “dosjeve të nxehta” të SPAK po thellohen, ndrysa të tjera janë drejt fundit të hetimeve. SPAK është duke hetuar disa raste ku ish-zyrtarë të nivelit të lartë dhe figura aktuale politike dyshohen për përfshirje në skema të mëdha korrupsioni të cilat përfshijnë kontrata koncesionare, ku të cilat janë gjetur shkelje në prokurime publike, veçanërisht në sektorët e shëndetësisë, infrastrukturës dhe energjisë.
Afera e inceneratorëve: Një nga dosjet më voluminoze, ku SPAK po kërkon të lidhë përgjegjësinë direkte të politikanëve me miliardat e shpërdoruara nga taksapaguesit shqiptarë. Një tjetër çështje që po hetohet gjerësisht është ajo e tjetërsimit të pronave, sidomos në zonat bregdetare dhe urbane. SPAK dyshon se janë përfshirë zyrtarë të lartë në manipulimin e dokumenteve dhe falsifikimin e pronësive, si edhe janë përdorur metoda të pastrimit të parave përmes ndërtimit të resorteve luksoze dhe komplekseve banimi.
“Gërdeci”
Një ndër çështjet më të bujshme që kanë tronditur opinionin publik është ajo e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas shpërthimit në fabrikën e çmontimit të armëve. Pas viteve të zvarritjeve në sistemin e drejtësisë, duket se autoritetet po afrohen më pranë figurave kyçe të këtij skandali. Emri i Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit, është lakuar shpesh për përfshirje të dyshuar në marrëveshjet që çuan në tragjedinë e 2008-ës.
Burime të afërta me hetimin sugjerojnë se ai mund të merret i pandehur për rolin e tij në këtë aferë. Dyshohet se SPAK ka siguruar dëshmitë e shumë bashkëpunëtorëve të tij në këtë biznes si kontrollues dhe përfitues kryesor prej këtij biznesi vrasës. Lidhjet e djalit të Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, dhe Gërdecit, e kanë zanafillën që në gjenezën e projektit që do të shndërrohej muaj më vonë në një tragjedi. Ministria e Mbrojtjes kishte përgatitur kuadrin ligjor, por duhej miratimi i Ministrisë së Drejtësisë.
Të gjitha materialet kaluan tek ministri Bumçi dhe stafi i tij, i cili pasi i pa, vendosi miratimin. Por, në këtë pikë, Bumçi tradhtohet nga një faks. Ai i dërgon një prej materialeve Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbi të shkruan me dorën e tij: “Për Shkëlzen Berishën”. Për këtë rast edhe Bumçi edhe Shkëlzeni janë thirrur disa muaj më parë në SPAK për të dhënë sqarimet e tyre. Por ajo që i komplikon edhe më shumë gjërat për djalin e Berishës, është hetimi i SPAK në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i përket fraksionit tjetër të kësaj dosjeje për korrupsion dhe pastrim parash sa i takon trafikimit te municioneve. Mësohet se SPAK, ka gjetur dhe siguruar provat që mund të tronditin pozitat e Shkëlzen Berishës.
