Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka përcjellë një mesazh urimi për Krishtlindjen nga qelia, duke iu drejtuar besimtarëve dhe qytetarëve shqiptarë me një thirrje për shpresë, solidaritet dhe bashkim.
Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shprehet se vigjilja e Krishtlindjes është një kujtesë e fortë se drita gjithmonë triumfon mbi errësirën dhe se shpresa mund të lindë edhe në periudhat më të vështira të jetës. Ai thekson rëndësinë e dashurisë, mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë si vlera themelore që mbajnë shoqërinë të bashkuar.
Sipas tij, Krishtlindja duhet të shërbejë si një ftesë për më shumë paqe në familje, më shumë ngrohtësi njerëzore dhe më shumë solidaritet mes qytetarëve. Veliaj uron që çdo familje të përjetojë ndjenjën e bashkimit dhe që Viti i Ri të sjellë forcë, vendosmëri dhe optimizëm për të ardhmen.
“Le ta mbajmë ndezur shpresën, sepse kur jemi bashkë, çdo sfidë mund të kthehet në mundësi. Gëzuar Krishtlindjen dhe një vit 2026 plot dritë e optimizëm”, thuhet në mesazhin e tij.
