Gjykata e Lezhës ka shpallur vendimin përfundimtar për çështjen e kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit, duke dënuar me një total prej 17 vite e 8 muaj burg tre persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Mes të dënuarve është edhe Armando Ndreca, vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Ndreca.
Armando Ndreca u shpall fajtor për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, duke u dënuar përfundimisht me 4 vite e 4 muaj burg. Për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, ai u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Lirim Bulica.
Dy të pandehurit e tjerë, Elvis Shpellzaj dhe Armel Nikdukaj, u dënuan secili me nga 6 vite e 8 muaj burg. Ata u shpallën fajtorë për “Kultivim të bimëve narkotike”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” si dhe “Vjedhje të energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Të tre të pandehurit përfituan ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe bashkimit të dënimeve, sipas parashikimeve ligjore.
Sipas hetimeve, në prill të vitit 2024, Policia e Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë, zbuloi se tre personat kishin përshtatur një stan për kultivimin e lëndëve narkotike. Gjatë operacionit u sekuestruan 2 973 bimë narkotike, një sasi cannabis sativa, 50 llamba ndriçimi, pajisje ventilimi, sende të tjera që shërbenin për kultivimin e drogës, si dhe tre aparate celularë. Gjithashtu u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Gjykata vendosi asgjësimin e lëndës narkotike të sekuestruar dhe ngarkimin e shpenzimeve procedurale ndaj të dënuarve. Vuajtja e dënimit do të kryhet në institucione të sigurisë së zakonshme, duke filluar nga data e arrestimit ose caktimit të masës së sigurisë.
Ky vendim konsiderohet një tjetër goditje ndaj kultivimit të lëndëve narkotike në zonat rurale të vendit.
