Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar, është ndalur te fenomeni i nepotizimit, duke thënë se janë 500 lidhje të tilla te Tatimet dhe Doganat.
Meta premtoi se kur të vijë në pushtet, brenda 24 orësh do ta çrrënjosë këtë fenomen në administratën shtetërore, përmes ndërtimit të një sistemi fiskal të drejtë.
“Ne po çrrënjosim nepotizim si fenomen në Partinë e Lirisë. Në 24 orë do ta çrrënjosim në administratën shtetërore. 500 lidhje nepotike në tatime dhe dogana, burrë e grua, vëlla e motër, kunat e kunat. Normale se s’ka sesi të jetë niveli i të ardhurave, ku nuk sundon ligji dhe demokracia. Ne do ta realizojmë duke ndërtuar një sistem fiskal të drejtë, pa diferencime dhe përjashtime, të cilat nuk kanë impakt ekonomik dhe social për vendin.
Shqipëria është kartë e korrupsionit galopant të Rilindjes mbledh shumë më pak të ardhura të vendit të rajonit. Në vitin 2023 Shqipëria mbledh 28% të PBB, ndërsa Bosnja 41%, Mali i Zi 42%, Serbia 42.6%. Kjo diferencë me mestaren 14%, nëse nuk do të vidheshin, nuk do të vidheshin nëse nuk do të kishim këto 500 lidhje nepotike te Dogana dhe Tatimet. Mos kalojmë te drejtësia që janë vetëm në një prokurori 7 familjarë. Pra, ky 14% që është tërësisht i realizueshëm dhe çrrënjosja e nepotizimit në dogana dhe tatime, do të thotë 3.3 miliardë euro shtesë në një vit. Do ti fitojë Shqipëria dhe shqiptarët nga administrimi i ndershëm e ekonomisë. Me 3.3 miliardë euro shtesë në vit dhe 4 vite shkon në 13.2 miliardë euro, që i bie sa borxhi që ka Shqipëria”
Ai shtoi më tej se tendera sekret mund të ketë për ndonjë pajisje të shërbimit inteligjent apo ministrisë së mbrojtjes, por jo në Ministrinë e Shëndetësisë apo Transportit.
“Partia e Lirisë angazhohet për një model ekonomik që simulon iniciativën dhe tregun e lirë, Konkurrencën dhe nuk do të ketë kurrë më asnjë tender sekret. Çjanë këto tendera sekret? Tendera sekret për papuçe, tendera sekret për kapele. Tendera sekret mund të ketë për ndonjë pajisje të shërbimi inteligjent apo ministrisë mbrojtjes. Jo ministria e shëndetësisë gjithë tenderat sekretë, ministria e transportit tender sekret. Ca janë këto tendera sekret? Vjedhje e hapur, vjedhje kriminale, me trefishin e kostos.”, tha Meta.
