Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar publikisht lidhur me mundësinë e kandidimit të tij për drejtimin e Tiranë, duke sqaruar se kjo iniciativë nuk lidhet me ndonjë vendim apo nxitje nga kryeministri Edi Rama.
Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Braçe theksoi:
“NUK KAM FOLUR ME EDI RAMËN PËR KANDIDIMIN TIM” dhe “NUK MË KA NXJERRË EDI RAMA TË KANDIDOJ”.
Ai nënvizoi se ideja për kandidimin nuk është e re, por është diskutuar më herët brenda strukturave të Partisë Socialiste dhe vjen si reflektim i kërkesave të qytetarëve dhe anëtarëve socialistë në kryeqytet.
Braçe theksoi se qëndrimi i tij nuk është i orientuar kundër individëve apo figurave politike, por lidhet me nevojën për një proces të hapur dhe demokratik brenda partisë.
“Nuk merrem me njerëzit, por me parimet dhe çështjet që ndikojnë në jetën e qytetarëve,” u shpreh ai.
Deputeti socialist ngriti shqetësime për gjendjen aktuale të Tiranës, duke përmendur problematika në qeverisje, rënie të cilësisë së shërbimeve dhe dobësi në zbatimin e ligjit.
Sipas tij, qëllimi kryesor mbetet përmirësimi i funksionimit të institucioneve vendore dhe ofrimi i shërbimeve më të mira për qytetarët, duke theksuar se fokusi i tij është puna konkrete dhe jo përplasjet politike.
