Rama premton paketë të re për shëndetësinë: barna të garantuara për Onkologjikun, rimbursim për 400 mijë pacientë dhe paga më të larta për mjekët

Data

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me mjekë, infermierë dhe stafin teknik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku prezantoi prioritetet e qeverisë për sektorin e shëndetësisë për vitin e ardhshëm.

Në fokus të fjalës së tij ishte garantimi i plotë i barnave për Shërbimin Onkologjik. Rama deklaroi se buxheti i ri i shëndetësisë ka marrë 50 milionë euro më shumë krahasuar me këtë vit, nga të cilat 15 milionë euro janë parashikuar posaçërisht për barna onkologjike, ndërsa një shtesë tjetër prej 15 milionë eurosh do të akordohet në mesin e vitit të ardhshëm. Sipas tij, synimi është që asnjë pacient të mos mbetet pa trajtim, përmes forcimit të rrjetit onkologjik edhe në spitalet rajonale.

Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se janë planifikuar fonde për rimbursimin e barnave për rreth 400 mijë pacientë, duke theksuar se kjo është pjesë e një vizioni afatgjatë për përmirësimin e aksesit në shërbimet shëndetësore.

Një tjetër pikë e rëndësishme ishte rritja e pagave për personelin mjekësor. Rama bëri të ditur se mjekët, infermierët dhe teknikët do të përfitojnë një rritje page prej 35 eurosh në muaj, si dhe indeksimin vjetor të pagave, që do t’i shtohet kësaj rritjeje.

Ai u ndal edhe te modernizimi i sistemit shëndetësor, duke theksuar se do të rritet dixhitalizimi dhe do të përdoret Inteligjenca Artificiale në trajtimin e pacientëve dhe në ndërhyrjet kirurgjikale, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit.

Rama e cilësoi kancerin si një sfidë globale dhe tha se qeveria synon ngritjen e një Instituti Kombëtar të Tumoreve dhe ndërtimin e një rrjeti kombëtar për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Në përfundim, kryeministri shprehu mirënjohje për mjekët dhe infermierët që punojnë edhe gjatë festave të fundvitit, duke theksuar sakrificat e tyre dhe duke u uruar shëndet e qetësi atyre dhe familjeve të tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related