Donald Trump shkarkon Pam Bondi, në krye të Departamentit të Drejtësisë emërohet Todd Blanche

Data

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shkarkuar nga detyra Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, në një vendim që ka tërhequr vëmendje të madhe politike në Uashington.

Sipas mediave amerikane, vendimi është komunikuar pas një takimi në Zyrën Ovale, ku Bondi është informuar për largimin nga posti. Megjithatë, raportohet se asaj do t’i ofrohet një rol tjetër brenda administratës.

Në vend të saj, Trump ka emëruar si Prokuror të Përgjithshëm në detyrë Todd Blanche, i cili deri më tani mbante postin e zëvendësit në Departamentin e Drejtësisë.

Burime për mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se Trump kishte shfaqur pakënaqësi ndaj Bondit në disa drejtime, veçanërisht lidhur me trajtimin e disa çështjeve të ndjeshme, përfshirë dosjet që lidhen me Jeffrey Epstein dhe hetime të tjera me interes politik.

Po ashtu, presidenti kishte shprehur shqetësim për ritmin e hetimeve ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa një nga çështjet në fokus mbetet edhe hetimi mbi ish-drejtorin e CIA-s, John Brennan, lidhur me deklaratat mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Megjithatë, menjëherë pas shkarkimit, Trump ka vlerësuar publikisht Bondin, duke e cilësuar atë si “patriote të madhe amerikane” dhe duke theksuar se ajo ka kryer një punë të rëndësishme gjatë kohës në detyrë.

Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm politik në SHBA, ku drejtimi i Departamentit të Drejtësisë mbetet kyç për çështje të rëndësishme ligjore dhe politike në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related