“Nuk e trazova unë politikën” – Shabani pas zgjedhjes Avokat i Popullit: Mora firmat e PD, u zgjodha me votat e PS

Data

Endrit Shabani, i zgjedhur Avokat i Popullit mes tensioneve dhe debatit politik, ka deklaruar se nuk ishte ai shkaku i përplasjes politike që shoqëroi procesin e zgjedhjes së tij. Sipas tij, situata u përdor për të krijuar zhurmë artificiale në një klimë politike tashmë të acaruar.

Në një intervistë televizive, Shabani theksoi se kandidatura e tij u propozua me firmat e deputetëve të Partisë Demokratike dhe aktorëve të tjerë opozitarë, ndërsa zgjedhja u bë me votat e Partisë Socialiste dhe disa partive të vogla. Ai theksoi se votimi ishte i fshehtë, por se është e qartë që socialistët e mbështetën në bllok.

“Nuk e kam trazuar unë politikën. Ata kanë qenë të trazuar dhe në situata konkurrence përdoren raste apo individë për të krijuar tension. Unë garova me firmat e PD-së dhe opozitarëve të tjerë dhe u zgjodha nga partitë që ishin në sallë. Kjo e bën kandidaturën time një nga më konsensualet që mund të gjendej,” u shpreh Shabani.

I pyetur për faktin që disa deputetë demokratë më pas u tërhoqën nga firmat e tyre, Shabani reagoi duke vënë në dyshim këtë argument. Ai theksoi se është e pamundur që 35 deputetë të mos kenë qenë të vetëdijshëm për emrin që kanë mbështetur.

“Mendoni vërtet se 35 deputetë nuk e kanë parë se për kë po firmosnin? Askush nuk ka firmosur pa e ditur. Emri im ka qenë i shkruar qartë që në krye të dokumentit,” tha ai, duke shtuar se dinamika të brendshme politike mund të kenë ndikuar më pas në ndryshimin e qëndrimeve.

Shabani pranoi se Partia Demokratike kishte edhe një kandidate tjetër të preferuar, por theksoi se deputetët kanë firmosur për më shumë se një kandidaturë, gjë që është pjesë e procesit normal të përzgjedhjes. Ai shtoi se është mirënjohës për mbështetjen fillestare, pasi pa firmat e opozitës nuk do të kishte mundur të hynte në garë.

Në fund, Shabani theksoi se tani fokusi i tij do të jetë vetëm te puna si Avokat i Popullit, duke lënë pas debatet politike që shoqëruan zgjedhjen e tij. Ai u betua në Kuvend në seancën e kaluar, mes tensioneve, përpara se të largohej nga salla, duke përshëndetur deputetët e opozitës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related