SPAK kërkon arrestimin e Ballukut – Demokratët i drejtohen Peleshit: Këshilli i Mandateve të mblidhet më 26 dhjetor

Data

Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin i kanë kërkuar zyrtarisht Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, thirrjen e menjëhershme të mbledhjes së Këshillit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në shkresën e depozituar, demokratët kërkojnë që mbledhja të zhvillohet ditën e premte, më 26 dhjetor, në orën 11:00, duke argumentuar se çdo vonesë përbën pengesë serioze për drejtësinë dhe rrezikon moscenimin e hetimeve.

Sipas tyre, ka kaluar më shumë se një javë nga mbledhja e fundit e Këshillit, e cila u ndërpre pa caktuar një datë të re, çka është më se e mjaftueshme që palët të jenë njohur me aktet dhe provat. Demokratët theksojnë se në precedentë të mëparshëm parlamentarë, afatet e shqyrtimit kanë qenë shumë më të shkurtra.

Në kërkesë vihet theksi edhe te urgjenca e çështjes, e argumentuar nga vetë Prokuroria e Posaçme, e cila ka kërkuar që shqyrtimi të bëhet brenda 3 deri në 5 ditëve. Sipas SPAK, ekziston rreziku që Belinda Balluku të ndikojë në hetim, përmes intimidimit të dëshmitarëve ose prishjes së provave.

Demokratët kujtojnë se gjatë mbledhjes së datës 19 dhjetor, ku morën pjesë edhe prokurorë të posaçëm, përfshirë drejtuesin e ri të SPAK dhe dy prokurorët e çështjes, u paraqitën prova voluminoze kundër Ballukut, të dorëzuara në një USB me mbi 10 mijë faqe materiale hetimore. Kjo USB iu shpërnda të gjithë anëtarëve të Këshillit.

Në shkresë theksohet se thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të gjysmës së anëtarëve është detyrim ligjor dhe kushtetues për Kryetarin e Kuvendit dhe se çdo refuzim apo zvarritje përbën shkelje të Rregullores së Kuvendit.

Në përfundim, demokratët i bëjnë thirrje Kryetarit të Kuvendit të mos e kthejë Kuvendin dhe Këshillin e Mandateve në një mburojë politike për zyrtarët e akuzuar dhe të mos bëhet pengesë për drejtësinë, duke garantuar zhvillimin e mbledhjes më 26 dhjetor për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së SPAK.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related