Ukraina mbetet në kontakt të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara dhe është e gatshme të avancojë drejt arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Kështu është shprehur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes Kievit dhe Uashingtonit.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Zelensky deklaroi se Ukraina po bashkëpunon plotësisht me palën amerikane dhe se ekziston vullnet i përbashkët për të arritur një marrëveshje përfundimtare.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Amerikën dhe presim me padurim të vazhdojmë punën. Ndjejmë se Amerika dëshiron të arrijë një marrëveshje përfundimtare dhe ne bashkëpunojmë plotësisht. Ukraina nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë pengesë për paqen”, u shpreh presidenti ukrainas.
Deklarata vjen në një moment të rëndësishëm të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndërsa autoritetet në Kiev theksojnë se roli i Shteteve të Bashkuara mbetet kyç në çdo proces serioz paqeje.
