Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli ka denoncuar një rast që sipas saj, është bërë nga banorë të Farkës. Sipas saj, atyre u është kufizuar aksesi për shkak të shembjes së rrugës në afërsi të kompleksit të vilave që po ndërton dhëndri i Kujtim Qefalisë, ish-kryetar i komunës Dajt dhe vëllai i deputetit Xhemal Qefalia. Zyrtarja e PD, Genta Vangjeli thekson se përveç rrugës janë dëmtuar disa shtëpi dhe është shkaktuar dëm mjedisor duke ndërhyrë pa kriter në kodrat e fshatit. Ajo paralajmëroi se Partia Demokratike do të kallëzojë penalisht përgjegjësit për shembjen e rrugës.
“Të ndërtosh vila për më të pasurit, dhe tu prishësh rrugën dhe shtëpitë hallexhinjve të fshatit, këtë vetëm dhëndurët e pushtetit të Edi Ramës e bëjnë. Kush nuk i trazon sepse janë ‘të qeverisë’ dhe me qeveritarët i ndajnë fitimet e majme dhe vilat. Denoncimi vjen nga banorët e fshatit Farkë, të cilëve u është kufizuar aksesi për shkak të shembjes së rrugës në afërsi të kompleksit të vilave që po ndërton dhëndri i Kujtim Qefalisë, ish-kryetar i komunës Dajt dhe vëllai i deputetit Xhemal Qefalia. Përveç rrugës janë dëmtuar disa shtëpi dhe është shkaktuar dëm mjedisor duke ndërhyrë pa kriter në kodrat e fshatit.
Partia Demokratike do të kallëzojë penalisht përgjegjësit për shembjen e rrugës dhe masakrën mjedisore të denoncuar para disa ditësh nga disa banorë që jetojnë pranë Liqenit të Farkës në Tiranës. Sipas banorëve, shoqëria tregtare ‘Al Point’ shpk, me pronar Aleksandër Vasili, i cili është dhëndri i administratorit socialist të Dajtit, Kujtim Qefalia, po punon për ndërtimin e një kompleksi vilash pranë liqenit. Në këtë zonë toka ka pësuar rrëshqitje duke shënuar shembjen e rrugës dhe dëmtimin e banesave të zonës për rreth.
