Nën hetim për pasurinë, Prokuroria Speciale e Kosovës i ngre aktakuzë Shpend Ahmetit, ish-kryetarit të Prishtinës

Data

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Ahmeti – i cili ka ushtruar detyrën e kryetarit të Prishtinës për dy mandate, nga viti 2013 deri në vitin 2021 – ka paraqitur me dashje deklarata të pasakta të pasurisë. Prokuroria pretendon se ai nuk ka deklaruar deponime në para të gatshme për periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2022.

“Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, e cila bën me dije se çështja është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Shpend Ahmeti nuk ka reaguar publikisht lidhur me akuzat.

Detyrimi ligjor për deklarimin e pasurisë

Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publikë në Kosovë ka nisur që nga viti 2007. Ligji i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë brenda 30 ditëve nga marrja e detyrës dhe më pas çdo vit.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës:

  • mosdeklarimi i pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet;
  • deklarimi i rremë i pasurisë dënohet me gjobë dhe me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Deri më tani, asnjë zyrtar publik në Kosovë nuk është dënuar me burgim për mosdeklarim pasurie.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related