Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, është paraqitur këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku ka qëndruar për rreth dy orë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Ismaili është marrë zyrtarisht nën hetim nga SPAK dhe është thirrur për t’u pyetur lidhur me dyshimet për përfshirje në një sulm kibernetik ndaj institucioneve të drejtësisë.
Ai dyshohet për disa vepra penale, mes tyre përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe kryerje veprash penale në kuadër të organizatës kriminale.
Sipas informacionit zyrtar, Ismaili është pyetur edhe për një tentativë ndërhyrjeje në sistemet e Prokurorisë së Posaçme, e regjistruar më 2 tetor të këtij viti. Ndërkohë, SPAK ka bërë të ditur se më 12 mars 2025 ka marrë sinjalizime se adresat e email-eve të prokurorëve të posaçëm ishin vënë në shënjestër të një ndërhyrjeje të paligjshme.
Hetimet tregojnë se, pavarësisht tentativës, sistemi i brendshëm i SPAK nuk u komprometua, falë masave të shtuara të sigurisë kibernetike.
Prokuroria e Posaçme vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe personat e përfshirë në këtë çështje.
