Komisioni i Prokurimit Publik, i kryesuar nga Jonaid Myzyri, është përfshirë në një skemë të pastër korrupsioni, ku disa firma favorizohen për të përfituar miliona euro punë publike. Në qendër të kësaj skeme janë dy firma, “REJ” e familjes së Eduart Kaprit, ish-kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, dhe firmës “Alko Impex”, me administrator Arbër Abazin, nipin e ish-deputetit Sadri Abazi. Kryetari i KPP-së, Jonaid Myzyri, dikur jurist i Abazëve, i ka dhënë ish-punëdhënësve rreth 13 milionë euro, me vendime të dyshimta të këtij komisioni.
Ndërkohë, pas nisjes së hetimeve dhe denoncimeve të njëpasnjëshme, Myzyri ka ndaluar favorizimin e “Alko Impex”, duke “përzgjedhur” firmën “REJ”, e cila bashkëpunon shumë ngushtë me Abazët. Nga viti 2021 kur është zgjedhur në krye të KPP-së, Myzyri e ka favorizuar kompaninë e Eduart Kaprit plot 24 herë, ku vlera e të gjithë tenderëve kap shifrën e frikshme të 25 MILIONË EUROVE.
VoxNews ka siguruar listën e plotë të vendimeve të KPP-së në favor të kompanisë “REJ”, ku skema është e thjeshtë; tenderët hapen nga institucionet, të cilat shpallin fitues kompanitë me ofertat më të ulëta. Në garë futet “REJ” me ofertë afër fondit limit, e cila nuk fiton në “shkallën e parë”. “REJ” e ankimon në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili s’kualifikon ofertat më të ulëta dhe shpall fitues kompaninë “REJ”. Ka dyshime se, diferenca mes ofertës më të ulët dhe asaj që shpallet fitues firma e Kaprit, është pikërisht edhe ryshfeti.
Por çfarë vendimesh ka dhënë KPP-ja në favor të familjes Kapri?!
Disa ditë më parë, VoxNews publikoi një investigim për një tender në Bashkinë e Pogradecit, ku fitues i procedurës së madhe doli “REJ”, por punimet po i përfundon me një fond shtesë “Alko Impex”. Një bashkëpunim i pastër mes familjes Kapri dhe Abazi, të cilët morën bekimin e Ilir Xhakollit, kryetarit të Bashkisë së Pogradecit.
