Rama rrëfen bisedën me një ministre: “Kur u ula në bankën e qeverisë, më erdhi turp nga vetja”

Data

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një episod nga një bisedë private me një ministre të kabinetit të tij, gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit ku u diskutua për paqen fiskale.

Sipas Ramës, ministrja – e cila më parë kishte qenë deputete – i kishte rrëfyer se përjetoi një ndjesi zhgënjimi dhe turpi pas kalimit nga bankat e Kuvendit në ato të qeverisë.

“Një kolege që u bë ministre duke qenë deputete, pas nja tre muajsh më tha: sa herë ulem në pjesën lart të Parlamentit më vjen turp nga vetja. Kur isha aty poshtë mendoja ‘lum si këta që janë aty lart’, por në fakt nuk paska qenë kështu”, tregoi Rama, pa përmendur emrin e saj.

Kryeministri e përdori këtë rrëfim për të reflektuar mbi perceptimet e pushtetit dhe pritshmëritë që krijohen nga jashtë, duke theksuar se realiteti i qeverisjes shpesh është shumë më kompleks nga sa duket.

Gjatë fjalës së tij, Rama iu drejtua edhe përfaqësuesve të biznesit në sallë, duke iu referuar mënyrës se si shpesh ata etiketohen në opinionin publik.

“Shumëkush ju sheh si kulakë, si oligarkë, si gjakpirës. Jeta është shumë më e ndërlikuar se kaq”, u shpreh ai.

Në fund, Rama dha një mesazh të fortë për marrëdhënien e bizneseve me punonjësit e tyre, duke theksuar përgjegjësinë morale ndaj tyre.

“Të gjithë janë të rëndësishëm, por më të rëndësishëm janë ata që punojnë për ju. Çdo gjë që hiqni prej tyre, e keni në llogarinë e ferrit ku do përfundoni”, tha kryeministri, duke e mbyllur fjalën me urimin për një vit të ri me “paqen fiskale”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related