Avokati Maks Haxhia, mbrojtësi ligjor i Ergys Agasit, ka reaguar publikisht ndaj akuzave të SPAK, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të përdorura politikisht.
Sipas tij, Agasi nuk ka asnjë lidhje me grupin e strukturuar kriminal të pretenduar në AKSHI, nuk ka marrë pjesë në tendera publikë dhe nuk njeh personin që është rrëmbyer, referuar çështjes së Gerond Meçes.
“Klienti im nuk është person publik dhe nuk ka ushtruar asnjë funksion shtetëror. Nuk ekziston në Kodin Penal ndonjë vepër që ndalon iniciativën e lirë të biznesit. Ai nuk ka aplikuar dhe nuk ka përfituar asnjë tender nga AKSHI apo nga buxheti i shtetit”, u shpreh Haxhia.
Avokati theksoi se paraqitja e Agasit si një “kryeministër në hije” është një konstrukt politik, i krijuar për qëllime propagandistike.
Duke iu referuar pamjeve filmike të siguruara nga SPAK në ambientet e zyrës së Agasit, ku shfaqen edhe zyrtarë e biznesmenë të tjerë, Haxhia sqaroi se kamerat janë instaluar për arsye sigurie.
“Janë kamera sigurie, sepse ka pasur tentativa për vjedhje të biznesit. Nuk ka asgjë të paligjshme në to”, tha ai.
Sa i përket masës së sigurisë “arrest në burg” të caktuar në mungesë, avokati deklaroi se klienti i tij nuk është në arrati, por ndodhet jashtë Shqipërisë për angazhime biznesi.
“Agasi ndodhet jashtë shtetit për të lidhur kontrata biznesi. Nuk është larguar për t’i shpëtuar drejtësisë. Kur të kthehet, do të mbajë qëndrimin e tij përballë institucioneve”, u shpreh Haxhia.
Ai shtoi se publikimi i detajeve hetimore në media, sipas tij, po komprometon procesin dhe po dëmton rëndë parimin e prezumimit të pafajësisë.
