Interesi qytetar për protestën kombëtare të opozitës ka arritur nivele të larta, duke tejkaluar kufijtë partiakë dhe duke u shndërruar në një reagim të gjerë shoqëror ndaj asaj që konsiderohet keqpërdorim masiv i fondeve publike dhe uzurpim i shtetit.
Deputeti demokrat Gjin Gjoni deklaroi se zbardhja e dosjeve që dokumentojnë abuzimet me buxhetin e shtetit ka ndezur zemërimin qytetar, duke e kthyer protestën në një akt qëndrese dhe dinjiteti. Sipas tij, reagimi nuk vjen vetëm nga mbështetës të Partisë Demokratike, por nga qytetarë të çdo bindjeje që ndihen të mashtruar dhe të përjashtuar.
“Qytetarët na thonë të vijmë dhe të mos kthehemi pas pa u mbyllur përfundimisht rrëzimi i kësaj qeverie”, u shpreh Gjoni, duke theksuar se durimi ka përfunduar dhe se “gota është mbushur plot”.
Ai sqaroi se protesta nuk ka si qëllim marrjen e pushtetit, por largimin e menjëhershëm të një strukture që, sipas tij, ka uzurpuar çdo qelizë të shtetit dhe ka kthyer institucionet në vegla të një klike të mbyllur.
Sipas deputetit, denoncimet e opozitës janë vërtetuar përmes dokumenteve dhe dosjeve zyrtare, çka ka shtuar besimin dhe mobilizimin qytetar. Ai e cilësoi pjesëmarrjen në protestë si një detyrim moral dhe një akt dinjiteti për çdo shqiptar që nuk pranon të jetojë nën një sistem të kapur nga korrupsioni.
“Kjo nuk është protestë partiake. Është protestë kundër një klike pushtuesish që ka marrë peng shtetin dhe pasuritë publike”, theksoi Gjoni, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe qëndresë pa kthim pas.
