Lufta në distancë mes Barcelonës dhe Real Madridit po intensifikohet gjithnjë e më shumë. Nëse futbollistët përballen në fushë, presidentët e klubeve zgjedhin fjalët si armë. Këtë herë, në qendër të vëmendjes ishte presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i cili shfrytëzoi fjalimin tradicional të Krishtlindjeve për të lëshuar një sulm frontal ndaj rivalëve madrilenë.
Laporta deklaroi se momenti i mirë sportiv i Barcelonës ka ngjallur zili dhe reagime të mjerueshme nga kundërshtarët, të cilët sipas tij po përdorin çdo mjet për të diskredituar klubin katalanas.
“Momenti ynë i mirë po gjeneron shumë zili. Përballë kësaj, disa reagojnë në mënyrën më të shëmtuar të mundshme, duke përdorur çdo lloj manovre të keqe dhe duke shkelur çdo kod moral,” u shpreh ai në fillim të fjalimit të tij të zjarrtë.
Edhe pse pa e përmendur drejtpërdrejt emrin, ishte e qartë se objektivi i kritikave ishte Real Madridi dhe drejtuesit e tij, të cilët Laporta i akuzoi për një fushatë të vazhdueshme diskreditimi ndaj Barcelonës, sidomos në lidhje me çështje gjyqësore dhe polemika të fundit.
“Ata po përpiqen vazhdimisht të diskreditojnë stemën dhe vlerat tona,” theksoi Laporta, duke shtuar se Barcelona nuk do të lejojë që këto sulme të vazhdojnë.
Presidenti katalanas i ashpërsoi edhe më tej tonet, duke i cilësuar rivalët si arrogantë dhe të shkëputur nga realiteti.
“Janë të njëjtët njerëz që ngatërrojnë pushtetin me despotizmin, që lëvizin në jetë me një arrogancë të tepruar dhe halucinatore, dhe që janë gjithmonë të parët për të praktikuar cinizmin,” tha ai.
Në fund, Laporta lëshoi goditjen më të fortë, duke akuzuar kundërshtarët për manipulim mediatik dhe përpjekje për të deformuar historinë e futbollit.
“Po flas për ata që kanë edhe një televizion nga i cili përhapin gënjeshtra pa pushim. Ata përpiqen të shtrembërojnë realitetin dhe madje të fshijnë historinë për ta bërë të tyren. Nuk do t’ia dalin,” deklaroi ai.
Laporta e mbylli fjalimin me një mesazh force dhe optimizmi për të ardhmen e Barcelonës, duke theksuar se klubi është sërish i fortë, brenda dhe jashtë fushës, dhe se synon rikthimin në majat e lavdisë.
Deklaratat e tij kanë ndezur edhe më shumë rivalitetin mes dy gjigantëve të futbollit spanjoll, duke treguar se përplasja Barcelonë–Real nuk njeh as pushime festive.
