Pas një mbledhjeje maratonë që zgjati rreth 10 orë, Gjykata Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun, e akuzuar për abuzime me tendera publikë.
Vendimi u mor pas një votimi të ndarë 4 me 4 mes anëtarëve të Gjykatës, çka bëri që kërkesa e kryeministrit Edi Rama për heqjen e masës së pezullimit të mos sigurojë shumicën e nevojshme prej 5 votash. Për rrjedhojë, mbetet në fuqi vendimi i Gjykatës së Posaçme dhe kërkesa e Prokurorisë së Posaçme.
Me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare, Belinda Balluku nuk do të ushtrojë më funksionet e saj si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pse u nda Kushtetuesja 4 me 4
Katër gjyqtarë argumentuan se masa e pezullimit prek funksionin kushtetues të ministrit dhe për këtë arsye kërkon autorizim paraprak nga Kuvendi.
Katër gjyqtarë të tjerë vlerësuan se Kushtetuta nuk e ndalon një masë të tillë dhe se ministrat nuk janë mbi ligjin, duke qenë subjekt i përgjegjësisë penale si çdo zyrtar tjetër publik.
Për shkak të barazisë së votave, kërkesa e qeverisë u konsiderua e rrëzuar dhe pezullimi mbetet në fuqi.
Akuzat ndaj Ballukut
Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, me hetimin që lidhet me ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një projekt me vlerë rreth 190 milionë euro. Ajo ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se do të flasë vetëm pas një vendimi përfundimtar të drejtësisë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese shihet si një zhvillim i fortë politik dhe institucional, që shënon një precedent të rëndësishëm në marrëdhënien mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë.
