Presidenti Begaj kundër qeverisë, kthen Ligjin për Inspektimet dhe rendit arsyet: Shkakton konfuzion, paqartësi…

Data

Pak pasi Parlamenti e kaloi me shumicë votash, Presidenti Bajram Begaj ka dalë kundër qeverisë dhe ia ka kthyer për rishqyrtim Kuvendit ligjin për “Inspektimin”. Dekreti që mban datën 10 Tetor 2024, është futur tashmë në procedurë parlamentare për t’u shqyrtuar fillimisht në komision dhe më pas në seancë. Dhe kreu i shtetit i “tërheq veshin” Kuvendit, teksa thekson në argumentime se “ndryshimi i 68 neneve nuk i është nënshtruar procedurës së rregullt që parashikon Rregullorja e Kuvendit”.

“Për këto 68 ligje nuk ka nismë ligjbërëse formale, nuk ka regjistrim të projektligjeve në programin e punës së Kuvendit, nuk ka konsultim publik, nuk ka procedurë të veçantë  shqyrtimi, nuk ka mendim të shprehur nga ekzekutivi për secilin prej ligjeve, nuk ka analizë të kostos financiare dhe deklarim nga qeveria që pranon mbulimin e kostove financiare për secilin prej tyre si dhe nuk ka raporte të veçanta vlerësimi nga komisionet përgjegjëse të Kuvendit sipas fushave që mbulojnë 68 ligjet e sipërpërmendura”, thuhet në dekret. Presidenti vlerëson se bashkimi mekanik i disa ligjeve me natyrë dhe objekt të ndryshëm në një ligj të vetëm shkakton konfuzion, mbjell paqartësi dhe sjell pasiguri.

Detaje nga ligji

Ndërkohë kujtojmë se ligji i ri për “Inspektimin” u miratua në Kuvend muajin që shkoi. Me këtë votim parlamenti i dha dritë jeshile në ligjin për  inspektimin në Shqipëri. Ndryshimet në këtë ligj u hartuan me përfshirjen e të gjitha dhomave të biznesit që operojnë në Shqipëri përfshi ato te huaja, ekspertizës se OECD. Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj deklaron se ligjin i ri për Inspektimet në Republikën e Shqipërisë i miratuar pasmesnate me 74 vota pro në Kuvend do të sjellë ndryshime thelbësore në reformimin e procesit e inspektimit për të lehtësuar e barrën e biznesit dhe garantuar produkte të sigurta, mjedis më të pastër dhe kushte pune më të mira për të gjithë.

Ibrahimaj thekson se ligji ka në thelb të tij konsolidimin e inspektorateve për të shmangur mbivendosjen e funksioneve dhe për të përmirësuar përdorimin e burimeve financiare dhe njerëzore. “Për herë të parë, paralajmërimi do të jetë masa kryesore administrative, duke u përqendruar më shumë në parandalimin e shkeljeve sesa në ndëshkimin me gjoba”, deklaron ministrja. Një tjetër risi, vijon Ibrahimaj është modernizimi i proceseve të inspektimit përmes përdorimit të sistemeve të përzgjedhjes së subjekteve me bazë riskun. Bizneset që kanë sjellje të rregullt do të inspektohen më rrallë, duke ulur ndërhyrjet e panevojshme. Do të krijohet një databazë e integruar, ku subjektet do të kenë një skedë individuale dhe do të kategorizohen sipas riskut të tyre.

Gjithashtu, ministrja bën me dije se projektligji përfshin gjithashtu garantimin e një procesi të pavarur ankimimi, duke larguar shqyrtimin e ankesave nga inspektoratet përkatëse dhe vendosur pranë Inspektoratit Qendror. Komisioni i Shqyrtimit të Ankimit do të ketë një përbërje shumëpalëshe, duke përfshirë edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit. Ibrahimaj nënvizon se do të krijohet Bordi i Inspektimeve, një organ kolegjial që do të koordinojë dhe harmonizojë politikat dhe standardet e inspektimeve në nivel kombëtar, duke garantuar një sistem më efikas dhe transparent inspektimi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related