“Skandal në Futbollin Portugez! Benfika Shpërthen: Sportingu është i Përkëdheluri i Federatës”

Data

Benfika ka shpërthyer publikisht kundër arbitrimit në futbollin portugez, duke akuzuar hapur se Sportingu trajtohet me standarde të dyfishta dhe favorizohet vazhdimisht nga sistemi.

Presidenti i Benfikës, Rui Kosta, u shfaq tepër i ashpër pas polemikave të ndeshjes së Kupës mes Santa Klarës dhe Sportingut, duke e cilësuar arbitrimin si një tjetër njollë të rëndë për futbollin portugez. Ai deklaroi se ishte vetë dëshmitar i asaj që e quajti “një skandal i radhës”, duke theksuar se situata po përsëritet në mënyrë alarmante.

Reagimi i Rui Kostës lidhet drejtpërdrejt me arbitrimin e Joao Pinjeiros, i cili akordoi një penallti shumë të diskutueshme në favor të Sportingut pas 12 minutash shtesë. Nga kjo penallti, Luis Suarez shënoi golin e barazimit 2-2, duke e çuar ndeshjen në kohë shtesë, ku më pas Sportingu arriti të fitonte 2-3.

Pas ndeshjes, Benfika doli me një deklaratë zyrtare tepër të fortë kundër sektorit të arbitrimit, duke theksuar se situata të tilla ndodhin “gjithmonë kur Sportingu nuk fiton”. Klubi i Lisbonës e cilësoi atë që ndodhi në këtë ndeshje si të pafalshme dhe të papranueshme për besueshmërinë e futbollit portugez.

Sipas Benfikës, fakti që u deshën 12 minuta për të “gjetur” një penallti që përfiton po të njëjtin ekip, nuk është rastësi, por pjesë e një modeli të përsëritur. Ata theksojnë se nëse një episod i tillë do të ishte i izoluar, mund të quhej gabim njerëzor, por kur përsëritet vazhdimisht, kthehet në një dëm serioz për sportin.

“Një gabim i vetëm mund të tolerohet, por përsëritja e këtyre situatave është një krim ndaj futbollit,” theksojnë drejtuesit e Benfikës, duke paralajmëruar se besimi në garë dhe drejtësi po dëmtohet rëndë.

Deklaratat kanë ndezur edhe më shumë tensionin mes dy klubeve rivale dhe kanë rihapur debatin e madh mbi arbitrimin dhe paanshmërinë në futbollin portugez.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related