Masimiliano Alegri i ka shpëtuar pezullimit pas sjelljes së tij të papërshtatshme gjatë finales së Superkupës ndaj Napolit, duke u ndëshkuar vetëm me një gjobë financiare nga organet disiplinore italiane.
Trajneri i Milanit u përfshi në një përplasje të ashpër verbale në ndeshjen e zhvilluar në Riad, ku fyeu në mënyrë të përsëritur Gabriele Orialin, drejtues i klubit napolitan. Episodi u kap nga kamerat dhe shkaktoi reagime të shumta në opinionin sportiv, duke dëmtuar imazhin e teknikut kuqezi.
Pavarësisht pritshmërive për një dënim më të rëndë, komisionet disiplinore vendosën të mos e pezullojnë Alegrin, por ta ndëshkojnë me një gjobë prej 10 mijë eurosh. Në vendimin zyrtar thuhet se dënimi u dha “për sjellje provokuese dhe përdorim të frazave fyese ndaj një zyrtari të ekipit kundërshtar”.
Vendimi është cilësuar nga mediat italiane si një tolerancë e tepruar ndaj trajnerit, ndërsa tensionet mes Milanit dhe Napolit pritet të mbeten të larta edhe në vazhdim.
