Neymar vazhdon të mbajë rekordin si lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit, nëse transfertat llogariten me vlerën e sotme të parasë. Sipas një raporti që analizon kostot historike të nënshkrimeve, transferimi i tij do të vlente rreth 305 milionë euro me kursin aktual.
Studimi përdor një formulë të avancuar matematikore që merr në konsideratë inflacionin, ndryshimet monetare ndër vite dhe kontekstin ekonomik të periudhave të ndryshme. Në këtë mënyrë, transferimet e vjetra krahasohen në mënyrë reale me tregun modern të futbollit.
Nga analiza rezulton se tetë nga dhjetë transferimet më të shtrenjta të përditësuara kanë pasur si protagonistë klubet spanjolle, veçanërisht ato të mëdha si Real Madridi dhe Barcelona, të cilat kanë dominuar tregun e transferimeve për dekada.
Ndërkohë, lojtari që ka “lëvizur” më shumë financiarisht është Kristiano Ronaldo. Si transferimi i tij te Real Madridi, ashtu edhe shitja e mëvonshme, do të kapnin sot vlerën e rreth 308 milionë eurove, duke e vendosur shumë pranë Neymarit në renditjen historike.
Raporti përjashton disa nga transferimet e viteve të fundit, të cilat ende nuk kanë peshën historike të atyre më të vjetrave. Për shembull, nënshkrime si ai i Isak apo Jude Bellingham, megjithëse shumë të kushtueshme në momentin e realizimit, humbasin peshë kur përditësohen në këtë analizë afatgjatë.
Interesant është edhe krahasimi me yjet e viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000. Luis Figo, për shembull, transferimi i famshëm i të cilit nga Barcelona te Real Madridi tronditi botën e futbollit, do të vlente sot rreth 120 milionë euro, gati dyfish i shumës origjinale. Ndërsa Zinedine Zidane, i blerë në vitin 2001 për atë kohë një shifër rekord, do të kishte sot një vlerë të përafërt me 141 milionë euro.
Këto të dhëna tregojnë jo vetëm rritjen e jashtëzakonshme të tregut të futbollit, por edhe faktin se disa transferta historike mbeten ende të paarritshme, pavarësisht shifrave marramendëse që shihen sot.
