Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka trokitur shpesh tek dera e familjes “Meta”. Pak javë më parë u zbulua se SPAK ka sekuestruar telefona dhe pajisje elektronike të Metës dhe Kryemadhit, madje BKH ka kryer kontrolle në banesën e tij tek “Kodra e Diellit”, por duket se hetimet nuk do të mbyllen me kaq. Meta, Kryemadhi dhe fëmijët e tyre janë vënë nën hetim pasuror. Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se SPAK ka marrë në pyetje vajzën e tyre, Borën, e cila është diplomuar në Angli dy vite më parë. Ajo është vajza e madhe e kryetarit të partisë së Lirisë, Ilirit Metës dhe Monika Kryemadhit. Bora është diplomuar për Matematikë në Exeter në Angli dhe master finance në UCL. SPAK po heton me themele dhe arsyet që kanë vendosur për ta pyetur për pagesat janë pasi shkollimi i saj është bërë në një nga universitetet më të shtrenjta në Angli dhe nëse bëhet llogaria me rrogën që merr Meta, apo Kryemadhi në fund nuk dalin shifrat. Gazeta po risjell një investigim shumë të thjeshtë të gazetarit Flamur Vezaj që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi Bora u diplomua, Vezaj publikoi disa dokumente se sa kushtonte studimi në universitetin që ajo studioji .Sipas tij për një vit duhet të paguash 31 mijë dollarë amerikanë.

Detajet
“Monika Kryemadhi ka publikuar një video të diplomimit të vajzës! Ishte treguar pak e kujdesshme për te mos identifikuar shume vendin ku vajza u diplomua! Por duke mos arritur të mbulojë të gjithë emrin e Universitetit në Londër! E vetmja shenjë që dallohej nga video ishte UCL school!”, e nis shkrimin gazetari. Ai thotë se ky universitet është ndër tre më të mirët në Angli. “Nga një kërkim i vogël online dhe duke pyetur njerëz në Tiranë, mësojmë se vajza e Ilir Metes dhe Monika Kryemadhit qenka diplomuar në Londër! Në Shkollen e Menaxhimit te Biznesit në Kolegjin Universitetar të Londrës! Me pak fjale shkollë biznesi! Nga një studim i bërë në Londer, rezulton se ky Universitet është ndër 3 Universitetet më të mira në Angli!!! Tre me të mirët në Angli!!!”, thotë ai. Gazetari Vezaj nxjerr dhe shifrat marramendëse të shpenzimeve që ka bërë Meta dhe Kryemadhi për vajzën e tyre. “Po nga ky studim rezulton që për të vazhduar këtë universitet minimumi që duhet të paguash në vit është 31.380 dollarë amerikanë! Kjo shumë rritet në varësi të deges! Por minimumi është 31.380 dollarë! E për të jetuar ne Londër, në kampus universitar apo jashtë në shtëpi private, një student duhet të paguajë minimumi 11.400$ ne vit! Ndërsa për ushqim dhe gjëra tjera të nevojshme që të jetosh në Londër si student duhet minimumi të kesh në llogari bankare 1.435 dollarë në muaj ose 17.200 dollarë në vit! Minimumi! Këtu duke mos përfshire blerjet e rrobave (firmato apo luksin se është vajza presidentit) apo pajisjet elektronike (kompjuter, IPad apo telefon)! Pra ne total në një vit, minimumi që te studiosh e te jetosh në Londër duhen 60.000 dollarë në vit! Minimumi, pasi dege te ndryshme te Kolegji UCL kane tarifa me te larta apo edhe qëndrimi në zona të mira të Londrës kanë çmim më të lartë të qirave! Pra ish-presidenti Meta për dy vite rrogë në Presidencë i siguronte një vit studim vajzës, duke mos përdorur rrogën për asnjë pagesë tjetër, vetëm shkollën e njerës vajzë! E nëse ka studiuar tre vite i janë dashur mbi 180.000 dollarë minimumi! Po fëmijëve të tjerë, me çfarë të ardhurash i paguan shkollën kryetari i partisë së “pengmarrjes” apo bashkëshortja e tij?”, shprehet gazetari. Në përmbyllje të shkrimit, Vezaj ngre pyetjet se nga i gjenë paratë, pasi me rrogat e tyre nuk i përballojnë dot. “Shumë politikanë i shkollojnë femijët jashtë në Universitete të shtrenjta!!! Mirë bëjnë në fakt, po paratë ku i gjejnë se me rrogat që marrin nuk i përballojnë këto fatura!?!? Jo për gjë, po ngelën duke bërë sikur i plasi zemra për korrupsionin e qeverise (që janë realisht me shumicë) me të cilët hanin bashkë me një kazan deri dje! Aman se mos thonë edhe këta si Rama që punimet për ndërtimin e vilës në Surrel ia bënë dhurate disa ndërtues”, u shpreh Flamur Vezaj.
