META: Drejtësia po mbahet peng, 22 Dhjetori moment vendimtar për qytetarët

Data

Ish-Presidenti i Republikës, ILIR META, në një intervistë për SYRI TV, ka akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin EDI RAMA dhe mazhorancën qeverisëse për bllokimin e drejtësisë dhe mbrojtjen politike të zëvendëskryeministres BELINDA BALLUKU.

META e cilësoi sjelljen e Ramës si një akt të hapur pengmarrjeje të drejtësisë, duke theksuar se reagimi i mazhorancës ndaj kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit është prova më e qartë e frikës së pushtetit nga hetimet. Sipas tij, Rama nuk po mbron Ballukun, por po përpiqet të mbrojë veten dhe rrethin e tij.

Ai theksoi se SPAK ka vepruar në mënyrë të kujdesshme dhe proporcionale, por paralajmëroi se çdo zvarritje e mëtejshme e hetimeve i shërben vetëm zhdukjes së provave. META deklaroi se çështja Balluku duhej të ishte zgjidhur që në fillim me dorëheqje ose shkarkim politik.

Në intervistë, kreu i Partisë së Lirisë u ndal edhe te përdorimi i shumicës parlamentare nga mazhoranca, duke e cilësuar Kuvendin si një instrument për mbrojtjen e korrupsionit. Ai përmendi përjashtimin e deputetëve të opozitës si një akt paniku politik përballë fakteve që, sipas tij, po dalin gjithnjë e më shumë në dritë.

META vlerësoi hetimet për AKSHI-n, duke e konsideruar kualifikimin e “grupit të strukturuar kriminal” si një zhvillim të rëndësishëm dhe të vonuar, që sipas tij ka munguar në shumë dosje të tjera të mëdha korrupsioni. Ai kujtoi edhe denoncimet e ish-zëvendëskryeministrit ARBEN AHMETAJ, për të cilat tha se janë konfirmuar nga zhvillimet e fundit.

Në planin ekonomik, META akuzoi qeverinë për varfërimin e qëllimshëm të qytetarëve dhe shkatërrimin e sektorëve kyç si bujqësia, prodhimi vendas dhe eksportet. Ai theksoi se pensionet e ulëta dhe rrënimi i infrastrukturës janë pasojë direkte e korrupsionit dhe keqmenaxhimit.

Duke folur për të ardhmen politike të vendit, ILIR META u bëri thirrje qytetarëve, opozitës dhe shoqërisë civile që të bashkohen në protestën e 22 DHJETORIT, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për çlirimin e drejtësisë dhe rikthimin e demokracisë.

“Çdo minutë që Rama qëndron në pushtet është humbje për Shqipërinë. Vendi po zbrazet, varfërohet dhe shkatërrohet. Tani është koha që qytetarët të flasin dhe të kërkojnë ndryshim,” u shpreh META.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related