Një episod i rëndë dhune është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë të Reçit, ku i dënuari Sokol Sanxhaktari është dhunuar fizikisht pas një konflikti që nisi me personelin e burgut dhe u përshkallëzua në përplasje me të burgosur të tjerë.
Burime nga Policia e Burgjeve bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, kur Sanxhaktari ka hyrë në debat verbal me disa gardianë, duke i ofenduar dhe sharë rëndë. Përpjekjet për ta qetësuar nuk kanë dhënë rezultat, çka ka tensionuar më tej situatën.
Në konflikt është përfshirë edhe Safet Bajri, i izoluar në këtë burg me urdhër të SPAK, për akuzën e vrasjes së Fatbardh Licit. Mes Sanxhaktarit dhe Bajrit ka pasur shkëmbim fyerjesh, që më pas janë kthyer në përplasje fizike.
Sipas burimeve, në sherr kanë ndërhyrë edhe persona të tjerë të afërt me Bajrin, të cilët kanë ushtruar dhunë ndaj Sanxhaktarit, duke e lënë në gjendje të rënduar. Një nga arsyet që ka ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit është fakti se dyert e dhomave në sektorin përkatës kanë qenë të hapura, duke lejuar lëvizjen e lirë të të dënuarve mes qelive.
Pas incidentit, Sokol Sanxhaktari është nxjerrë nga sektori ku ndodhi sherri dhe është sistemuar në një sektor tjetër për arsye sigurie.
Sanxhaktari vuan një dënim prej 15 vitesh burg për vrasjen e Florian Lamçes, ngjarje e ndodhur më 30 korrik 2020 në Elbasan. Ai është gjithashtu dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, i ndarë nga jeta disa vite më parë.
Ngjarja rikthen në vëmendje problematikat e sigurisë dhe menaxhimit brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit, ku jo rrallë herë të dënuar me profil të lartë përfshihen në episode dhune.
