Nga burgu presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ngriti dje shqetësimin se edhe këtë vit arsimi është lënë pa fonde shtesë. Sipas tij, bashkë me arsimin, janë braktisur edhe sektorët e Shëndetësisë dhe Bujqësisë. “Vendimi më i fundit i Qeverisë për të shkurtuar fondet buxhetore për Arsimin me 700 milion lekë, për Shëndetësinë me 2.6 miliard lekë dhe për Bujqësinë me 800 milion lekë është tregues i vijimit të moskujdesit dhe braktisjes së tre sektorëve jetikë socialë, me pasoja të drejtpërdrejta negative për qindra mijëra mësues, mjekë, infermierë e stafe mbështetëse, si dhe fermerë.
Të lesh Arsimin pa fonde shtesë, kur nevoja për rritjen e pagave, për ndërtimin e shkollave, kopshteve dhe çerdheve të reja, si edhe domosdoshmëria për rritjen e sigurisë së institucioneve arsimore është urgjente provon papërgjegjshmërinë totale politike të Narkoqeverisë së Edi Ramës. Mungesa e fondeve do të thellojë akoma më shumë rezultatet negative të Shqipërisë, që renditet e fundit në botë për cilësinë e Arsimit. Të shkurtosh fondet e Shëndetësisë pasi ke premtuar “shëndetësinë falas” do të thotë të braktisësh stafin mjekësor, të thellosh mungesën e ilaçeve dhe investimeve në spitale, në një kohë kur skandalet e mostrajtimit dinjitoz të pacientëve thellohen dhe shpërthejnë çdo ditë, si skandali i Onkologjikut, i sëmundjeve kronike e plot të tjera.
