Nga milionat në 1 euro: Si përfitoi CARLO BOLLINO pronë shtetërore në zemër të Tiranës

Data

Botuesi i Shqiptarja.com dhe Report TV, CARLO BOLLINO, i konsideruar prej kritikëve si një nga figurat më të afërta mediatike të kryeministrit EDI RAMA, rezulton të ketë përfituar një pronë shtetërore me vlerë miliona euro në qendër të Tiranës, për vetëm 1 euro simbolike.

Sipas kallëzimit të depozituar nga Partia Demokratike në SPAK, bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 4021.5 metra katrorë, e njohur si zona e “ish-Repartit të Orëve”, një nga parcelat më të lakmuara të kryeqytetit. Prona, e administruar nga shteti, i është dhënë me qira kompanisë “MTSC”, në pronësi të BOLLINO-s, përmes një serie vendimesh qeveritare.

Fillimisht, në korrik të vitit 2019, ish-ministrja e Financave ANILA DENAJ shpalli fitues BOLLINO-n për dhënien me qira të pronës. Sipas dokumenteve, qiraja mujore ishte rreth 6.300 euro, por vetëm pak muaj më vonë, me propozim të DENAJ-t dhe miratim të Këshillit të Ministrave, kjo shumë u reduktua në vetëm 1 euro.

Ndërkohë, qeveria ndryshoi disa herë vendimet përkatëse, duke i dhënë fillimisht të drejtën e përdorimit të një kati të godinës, më pas duke lejuar shembjen e saj dhe, në fund, duke ndryshuar objektin e kontratës, ndonëse godina shtetërore nuk ekzistonte më fizikisht.

Në kallëzim thuhet se Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave kanë ndërhyrë me vendime të njëpasnjëshme për të mbuluar shpërdorimin e pasurisë publike dhe për të krijuar bazë ligjore artificiale për përfitimin e truallit nga BOLLINO.

Sipas padisë, institucione si Ministria e Financave, Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe shoqëria “MTSC” kanë bashkëvepruar për të plotësuar dokumentacion të rremë, me qëllim pajisjen me leje ndërtimi dhe kalimin përfundimtar të pronës shtetërore në favor të botuesit.

Partia Demokratike ka ngritur ndaj ANILA DENAJ dhe zyrtarëve të tjerë një sërë akuzash penale, përfshirë “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike”. Çështja ndodhet aktualisht në duart e SPAK, i cili pritet të vendosë nëse do të vijojë hetimet apo do ta arkivojë dosjen.

Nëse akuzat provohen, ish-ministrja DENAJ dhe persona të tjerë të përfshirë mund të përballen me pasoja të rënda penale, ndërsa rasti konsiderohet nga opozita si një nga shembujt më flagrantë të lidhjes pushtet–media dhe përfitimit të pasurisë publike në dëm të interesit qytetar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related