Frikë, ndjenjë përjashtimi, tallje dhe kërcënime me fjalë vulgare janë bërë pjesë e përditshmërisë për një grup punëtorësh nga Nepali që jetojnë dhe punojnë në qytetin e Kragujevcit, në Serbinë qendrore. Rreth dhjetë prej tyre banojnë në një shtëpi shumëkatëshe në një lagje të qytetit, ku kanë mbërritur në mesin e nëntorit për të punuar në ndërmarrje komunale, fabrika dhe kantiere ndërtimi.
Sipas dëshmive të tyre, shumë shpejt pas ardhjes u përballën me protesta të një pjese të banorëve lokalë para shtëpisë ku jetojnë, shoqëruar me thirrje fyese dhe kërkesa që të largoheshin nga qyteti. Punëtorët tregojnë se gjatë protestave nuk guxonin të dilnin jashtë nga frika për sigurinë e tyre.
“Ne vetëm duam të jemi të sigurt dhe të punojmë. Nuk presim asgjë tjetër”, shprehen ata, duke theksuar se nuk kanë ardhur për të bërë asgjë të paligjshme dhe se në Nepal kanë familjet dhe fëmijët e tyre. Disa prej tyre pranojnë se nuk u tregojnë familjarëve për atë që po kalojnë, për të mos i shqetësuar.
Situata u përkeqësua në fillim të dhjetorit, kur protestat u shoqëruan me gjuhë urrejtjeje edhe në rrjetet sociale. Në një nga tubimet morën pjesë edhe përfaqësues të grupeve ultra-djathtiste nga Beogradi, ndërsa disa banorë pretenduan, pa prova konkrete, se punëtorët e huaj përbëjnë rrezik për sigurinë dhe vendet e punës.
Nga ana tjetër, ka edhe zëra në komunitet që i cilësojnë këto reagime si racizëm dhe ksenofobi. Disa banorë thonë se punëtorët janë të qetë, nuk shqetësojnë askënd dhe merren vetëm me punën e tyre. Madje, është paralajmëruar edhe nisja e një peticioni për mbrojtjen e tyre.
Autoritetet lokale kanë deklaruar se pretendimet për rrezikim të popullatës nuk qëndrojnë dhe se të gjithë punëtorët e huaj janë të angazhuar ligjërisht në punë. Edhe policia ka bërë thirrje që të mos shpërndahen informacione të pasakta dhe të paverifikuara, pasi ato mund të rrezikojnë sigurinë e shtetasve të huaj.
Pavarësisht kësaj, punëtorët nga Nepali thonë se përballen çdo ditë me situata të pakëndshme, si shikime fyese, tallje në transportin publik dhe ndjenjë izolimi. Megjithatë, ata theksojnë se ka edhe përvoja pozitive, pasi disa kolegë dhe banorë lokalë tregohen miqësorë dhe të gatshëm për t’i ndihmuar.
“Jo të gjithë janë njësoj. Ka njerëz të mirë”, thonë ata, duke shpresuar se me kalimin e kohës, përmes njohjes së gjuhës dhe integrimit, do të ndihen më të sigurt dhe të pranuar në qytetin ku kanë shkuar vetëm për të punuar dhe jetuar me dinjitet.
