Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, duke arrestuar në Serbi një 23-vjeçare të shpallur në kërkim ndërkombëtar për një grabitje me dhunë të ndodhur në Tropojë.
Në pranga ka rënë Rinesa Raçi, e cila akuzohet se në vitin 2021, në fshatin Dojan të Tropojës, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, i ka grabitur me dhunë një gruaje celularin dhe një shumë parash në euro. Pas ngjarjes, ajo ishte larguar nga Shqipëria dhe ishte shpallur në kërkim.
Në vitin 2024, Gjykata e Kukësit e ka dënuar 23-vjeçaren me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Arrestimi i saj në Serbi u bë falë bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve policore serbe, të koordinuara nga Interpol Tirana.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë operacionit u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e të resë, e cila rezultonte e kërkuar ndërkombëtarisht për ekzekutimin e vendimit penal të formës së prerë.
Aktualisht, strukturat policore homologe po bashkëpunojnë për përfundimin e procedurave ligjore për ekstradimin e 23-vjeçares drejt Shqipërisë, ku ajo do të vuajë dënimin e dhënë nga autoritetet gjyqësore shqiptare.
