Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se kërkon largimin e menjëhershëm të kryeministrit Edi Rama nga qeveria dhe nisjen e procedurave për përgatitjen e zgjedhjeve të reja, duke e cilësuar situatën politike në vend si një krizë të thellë të shtetit ligjor dhe kushtetutshmërisë.
Në një deklaratë publike, Berisha tha se është dakordësuar me forcat e tjera politike të opozitës për mobilizimin e të gjitha potencialeve në atë që ai e përshkroi si një betejë dhe revoltë vendimtare kundër qeverisë aktuale. Sipas tij, Shqipëria ndodhet nën një “sistem pengmarrjeje të paimagjinueshëm”, ku institucionet dhe shoqëria janë të kapura në zinxhir.
“Forcat politike të opozitës, të mbledhura sot, vendosën të mobilizojnë të gjithë potencialet e tyre në një betejë vendimtare, në revolta vendimtare për t’u ndarë nga kjo e keqe e madhe që i ka rënë Shqipërisë mbi krye”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se opozita kërkon rikthimin e shtetit ligjor dhe respektimin e Kushtetutës, duke akuzuar qeverinë se ka instaluar një model qeverisjeje që ka larguar vendin nga standardet demokratike. Sipas Berishës, largimi i Ramës është kusht i domosdoshëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Kërkoj largimin e tij të menjëhershëm nga qeveria, formimin e një qeverie për të përgatitur zgjedhjet e reja dhe rikthimin e Shqipërisë në rrugën e ligjit dhe Kushtetutës”, deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha iu drejtua qytetarëve, duke theksuar se, sipas tij, është radha e tyre për të vendosur përmes reagimit dhe angazhimit qytetar për fatin e familjeve dhe të vendit. Ai theksoi se Partia Demokratike dhe opozita do të udhëheqin këtë proces me vendosmëri, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për të ardhmen politike të Shqipërisë.
