Protesta e 22 dhjetorit, dhunë apo revoltë paqësore? Berisha përgjigjet: Diktaturën e përmbysëm paqësisht, edhe kjo betejë do jetë e tillë

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mohuar kategorikisht se protesta kombëtare e thirrur për më 22 dhjetor para Kryeministrisë do të jetë e dhunshme, duke theksuar se PD është dhe mbetet një forcë politike paqësore.

I pyetur nga gazetarët nëse protesta e paralajmëruar rrezikon të degjenerojë në dhunë, Berisha u shpreh se historia e Partisë Demokratike është dëshmi e qartë e angazhimit për ndryshim paqësor, edhe në momentet më të vështira të vendit.

“Ne jemi forcë politike paqësore. Ne diktaturën më të dhunshme të kohërave e kemi përmbysur në mënyrë paqësore”, deklaroi Berisha nga selia e PD-së, duke shtuar se ekzistojnë forma të revoltes qytetare që nuk përfshijnë dhunën.

Ai sqaroi gjithashtu deklaratat e tij për “revoltë”, duke theksuar se nuk ka bërë thirrje për veprime të dhunshme, por për mobilizim qytetar kundër asaj që e cilëson si keqqeverisje dhe kapje të shtetit. Sipas tij, situata në vend është e rëndë dhe kërkon reagim të fortë politik dhe shoqëror.

I pyetur për mundësinë e grevës apo formave të tjera ekstreme të protestës, Berisha u shpreh se “të gjitha opsionet janë të hapura”, por pa dhënë detaje konkrete. Ai theksoi se qëllimi i opozitës është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe rikthimi i vendit në, sipas tij, rrugën e ligjit dhe demokracisë.

“Me Ramën, Shqipëria është në greminë. Të largohet Rama. Luftë thoshte zëdhënësi i Ramës”, u shpreh Berisha, duke akuzuar mazhorancën për retorikë përçarëse dhe tensionuese.

Protesta e 22 dhjetorit pritet të jetë një nga tubimet më të mëdha të opozitës në muajt e fundit, ndërsa vëmendja publike mbetet e përqendruar tek mënyra se si do të zhvillohet dhe mesazhi politik që do të përcillet nga sheshi përballë Kryeministrisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related