“Nuk pranojmë seancë të mbyllur për vjedhjet” – Berisha: Prokurorët kanë urdhëruar që provat të mos i dorëzohen Ballukut

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas kërkesës së SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke kundërshtuar çdo përpjekje që shqyrtimi i çështjes në Kuvend të zhvillohet me dyer të mbyllura.

Berisha deklaroi se, sipas tij, prokurorët kanë urdhëruar që provat të mos i dorëzohen vetë Ballukut, por kjo nuk nënkupton që ato të mbahen të fshehta nga deputetët. Ai theksoi se opozita kërkon transparencë të plotë dhe vënien në dispozicion të materialeve për përfaqësuesit e Kuvendit.

“Prokurorët kanë kërkuar që provat mos t’i dorëzohen Ballukut, por jo që të mos u jepen deputetëve. Seancë të mbyllur për vjedhjet e Edi Ramës nuk pranojmë. Seancë të mbyllur për vjedhjet e Ballukut nuk pranojmë”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, dosja ndaj Ballukut përmban vetëm një element sekret, i cili duhet të mbetet i tillë në interes të procesit hetimor, ndërsa pjesa tjetër e dokumentacionit dhe provave nuk ka arsye të mbahet e fshehtë. Berisha theksoi se opozita nuk kërkon publikimin e materialeve që dëmtojnë hetimin, por refuzon çdo tentativë për ta mbuluar çështjen përmes seancave të mbyllura.

Në deklaratën e tij, Berisha përsëriti akuzat për pasuri të pajustifikueshme të Ballukut, duke përmendur apartamente, jahte, vila dhe llogari bankare me shuma të mëdha, të cilat, sipas tij, janë ndërtuar përmes korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

Ai theksoi se kjo çështje nuk ka të bëjë me interesat e opozitës si forcë politike, por me interesin e qytetarëve shqiptarë. “Nuk jemi ne deputetët ata që janë vjedhur, janë qytetarët shqiptarë”, deklaroi Berisha, duke shtuar se përgjegjësia politike dhe morale duhet të merret deri në fund.

Në përfundim, kreu i PD-së i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke e cilësuar situatën si një krizë të rëndë të shtetit dhe duke deklaruar se Partia Demokratike do të vijojë betejën politike për transparencë dhe drejtësi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related