Fiona Papajorgji zgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese, pason Holta Zaçajn

Data

Fiona Papajorgji është zgjedhur kryetare e re e Gjykatës Kushtetuese, duke zëvendësuar në këtë detyrë gjyqtaren Holta Zaçaj, mandati i së cilës përfundoi në muajin mars të këtij viti. Papajorgji do të drejtojë Gjykatën Kushtetuese për një mandat trevjeçar.

Vendimi u mor sot, më 18 dhjetor 2025, gjatë mbledhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku Fiona Papajorgji ishte kandidatura e vetme për postin e kryetares. Sipas njoftimit zyrtar, zgjedhja e saj u bë njëzëri, në përputhje me parashikimet ligjore.

“Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese zhvilloi sot seancën për zgjedhjen e Kryetarit të ri. Në përfundim të procesit të votimit, me vendimin nr. 14, datë 18.12.2025, u zgjodh njëzëri zonja Fiona Papajorgji në detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin zyrtar të institucionit.

Vendimi për zgjedhjen e kryetares së re do t’i njoftohet Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas procedurave ligjore.

Profili i Fiona Papajorgjit

Fiona Papajorgji ka lindur më 12 mars 1976 në Vlorë. Ajo është diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit në Itali dhe në vitin 2012 ka marrë gradën “Doktor i Shkencave Juridike” po në këtë universitet.

Në periudhën 2000–2008, Papajorgji ka ushtruar profesionin e avokates në disa studio ligjore në Bari. Më pas, nga viti 2009 deri në 2011, ka shërbyer si avokate në Departamentin e Studimeve, Kërkimeve dhe Publikimeve pranë Gjykatës Kushtetuese, ndërsa nga 2011 deri në 2019 ka mbajtur funksionin e këshilltares ligjore në të njëjtin institucion.

Paralelisht, që prej vitit 2007, ajo ka qenë e angazhuar në mësimdhënie si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete, si dhe ka kontribuar me ekspertizë ligjore në projekte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë proceset e përafrimit të legjislacionit.

Papajorgji është autore e disa artikujve shkencorë në fushën e së drejtës kushtetuese dhe, në vitin 2019, u angazhua si pedagoge e jashtme në Shkollën e Magjistraturës për Programin e Trajnimit Fillestar.

Në nëntor 2019, ajo u emërua anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tashmë merr drejtimin e institucionit më të lartë kushtetues në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related