Situata ka dalë jashtë kontrollit në Bruksel, ku mijëra fermerë nga vende të ndryshme evropiane kanë organizuar një protestë masive dhe të dhunshme përpara ndërtesës së Parlamentit Evropian, duke shkaktuar incidente serioze dhe kaos në zemër të kryeqytetit belg.
Protestuesit kanë vendosur zjarre, kanë ndezur bomba tymuese dhe kanë hedhur objekte drejt forcave të rendit, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Përplasjet kanë shkaktuar dëme materiale në zonën Place du Luxembourg, një nga pikat më të frekuentuara pranë institucioneve evropiane.
Në të njëjtën kohë, fermerët kanë bllokuar rrugët kryesore Avenue des Arts dhe Rue du Luxembourg, duke përdorur traktorët si mjete proteste dhe duke paralizuar qarkullimin. Qindra automjete bujqësore janë pozicionuar përreth zonës institucionale, duke krijuar një situatë të paprecedentë sigurie.
Protesta lidhet drejtpërdrejt me kundërshtimin e marrëveshjes BE–Mercosur, e cila parashikon krijimin e zonës më të madhe të tregtisë së lirë në botë mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Amerikës së Jugut. Fermerët shprehen se kjo marrëveshje rrezikon seriozisht bujqësinë evropiane, duke lejuar hyrjen në tregun e BE-së të produkteve më të lira si mishi i viçit, sheqeri, orizi, mjalti dhe soja, të prodhuara sipas standardeve më të ulëta se ato evropiane.
Sipas tyre, kjo do të dëmtojë rëndë konkurrencën dhe do të godasë drejtpërdrejt fermerët vendas, ndërsa paralelisht kundërshtohet edhe reforma e subvencioneve bujqësore.
Bllokadë e papritur gjatë natës
Tensionet nisën të përshkallëzohen pak para mesnatës, kur më shumë se 100 traktorë bllokuan papritur Rue de la Loi, rrugën kryesore përpara ndërtesave të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian. Ky mobilizim i papritur habiti autoritetet, pasi sipas mediave belge, protestuesit priteshin të mbërrinin në Bruksel vetëm në orët e mëngjesit të së enjtes.
Rreth orës 23:00 sipas kohës lokale, procesioni i traktorëve “preu” qytetin në dysh, duke ndërprerë totalisht trafikun dhe duke detyruar policinë të ndërmarrë masa të jashtëzakonshme sigurie për të kontrolluar situatën.
Forca të shumta policore u vendosën në terren, ndërsa u përdorën edhe helikopterë për monitorimin ajror të protestës, me synimin për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe për të mbrojtur institucionet evropiane.
Autoritetet belge janë në gatishmëri të lartë, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe protestat pritet të vijojnë edhe në orët në vijim.
