Seanca plenare e kësaj të enjteje është shndërruar në një arenë kaosi dhe tensioni ekstrem, pasi deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar punimet parlamentare në shenjë proteste ndaj skandaleve që lidhen me zv/kryeministren Belinda Balluku dhe dosjen e zyrtarëve të AKSHI-t.
Situata ka dalë plotësisht jashtë kontrollit kur deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, ka ndezur një flakadanë në sallën e Kuvendit, duke e kthyer seancën në një akt simbolik rebelimi kundër asaj që opozita e cilëson si mbrojtje politike të korrupsionit nga mazhoranca.
Në mes të zhurmës dhe tensioneve, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërthyer me akuza të forta, duke kërkuar paraqitjen e personave të përfshirë në aferat e denoncuara.
“Sillni hajdutët këtu! Parlament nuk ka pa sjellë Lubinë dhe Agasin”, deklaroi Berisha me tone të ashpra, duke iu drejtuar mazhorancës socialiste.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi drejtpërdrejt kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, për fshehjen e çështjes Balluku nga drejtësia.
“Niko, e keni mbyllur Belindën në kasafortë”, u shpreh Bardhi, duke shtuar më tej përplasjen politike në sallë.
Opozita e cilëson situatën aktuale si një tentativë të qeverisë për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur zyrtarët e përfshirë në afera korruptive, ndërsa ka paralajmëruar se aksioni në Kuvend do të vijojë dhe se nuk do të lejohet normalizimi i punimeve parlamentare pa përballjen e plotë të mazhorancës me drejtësinë.
Kuvendi mbetet në tension të lartë, ndërsa zhvillimi i mëtejshëm i seancës është në pikëpyetje.
