Tensione të forta janë shënuar në Kuvend që në orët e para të ditës, ende pa nisur seanca plenare. Deputetët e Partisë Demokratike kanë zënë karriget e ministrave në sallë, në një akt proteste të drejtpërdrejtë kundër qeverisë dhe mazhorancës socialiste.
Situata është përshkallëzuar më tej nga deklaratat e forta të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili ka sulmuar verbalisht ministrat dhe drejtuesit e mazhorancës, duke paralajmëruar se edhe ata do të përfundojnë si zv/kryeministrja Belinda Balluku, ndaj së cilës SPAK ka kërkuar arrestimin.
“Morët fund, e ke radhën ti pas Lubisë”, iu drejtua Berisha ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, mes zhurmës dhe tensioneve në sallë.
Aksioni i deputetëve demokratë vjen në vazhdën e përplasjes së fortë politike pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, si dhe pas skandaleve të lidhura me dosjen e AKSHI-t. Opozita akuzon qeverinë se po përdor Kuvendin për të bllokuar drejtësinë dhe për të mbrojtur zyrtarët e përfshirë në afera korruptive.
Në sallë janë dëgjuar thirrje dhe akuza të ndërsjella, ndërsa ndërhyrja e Gardës së Republikës për të menaxhuar situatën ka shtuar më tej tensionet.
PD ka paralajmëruar se ky aksion nuk do të ndalet dhe se bllokimi i Kuvendit do të vijojë deri në përballjen e plotë të mazhorancës me drejtësinë.
Seanca plenare mbetet në pikëpyetje, ndërsa Kuvendi po përjeton një nga episodet më të tensionuara politike të viteve të fundit.
