Mes kaosit, tensioneve dhe bllokimit total të Kuvendit nga opozita, Endrit Shabani u betua sot si Avokat i Popullit, në një nga seancat më të pazakonta parlamentare të viteve të fundit.
Teksa deputetët e Partisë Demokratike kishin zënë karriget e ministrave dhe kishin paralizuar zhvillimin normal të seancës plenare, procedura e betimit u zhvillua në një sallë të përfshirë nga zhurma, protestat dhe përplasjet politike.
Pas betimit, Shabani u largua menjëherë nga salla, duke përshëndetur me dorë dhe puthje deputetët e opozitës, një gjest simbolik që nuk kaloi pa u vënë re në klimën e ndezur politike.
Kujtojmë se kandidatura e Endrit Shabanit për Avokat të Popullit ishte propozuar fillimisht me firmat e deputetëve të opozitës, të cilët më pas u tërhoqën nga mbështetja. Megjithatë, mazhoranca socialiste refuzoi kërkesën e Partisë Demokratike për tërheqjen e firmave dhe e çoi procesin deri në fund.
Shabani u zgjodh përfundimisht Avokat i Popullit me votat e mazhorancës, në një proces që opozita e ka cilësuar si të imponuar dhe të përdorur politikisht.
Betimi i tij, i zhvilluar në mes të kaosit parlamentar, është parë nga opozita si një tjetër dëshmi e degradimit institucional dhe e krizës së thellë politike që po përjeton Kuvendi i Shqipërisë.
