Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar se protestat e fuqishme qytetare, brenda dhe jashtë Shqipërisë, janë e vetmja rrugë për rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës.
Në fjalën e tij, Berisha paralajmëroi se opozita do të intensifikojë aksionin politik përmes protestave të pandërprera, duke nisur nga tubimi i 22 dhjetorit, ndërsa theksoi se këto protesta do të shtrihen edhe jashtë vendit.
“Sot situata është e rrezikshme dhe kërkon guxim. U tejkalua çdo vijë e kuqe. Kjo është ora e thirrjes për çdo idealist, atdhetar dhe shqiptar që mendon për vendin e tij. Ose përballemi tani, ose shtrijmë qafën. Ne këtë nuk e bëjmë”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi qeverinë se po përdor pushtetin për të mbuluar krime të rënda dhe për të grabitur pasuritë publike, duke përmendur edhe raste të rrëmbimeve dhe intimidimeve të individëve që lidhen me çështje sensitive për pushtetin.
Sipas Berishës, Partia Demokratike duhet të kalojë në një “fazë të re përballjeje”, të bazuar te rezistenca qytetare dhe mobilizimi masiv.
“Ky regjim nuk bën asgjë tjetër veçse ndan dhe vjedh pasuritë e shqiptarëve. Kërkohet guxim, kreativitet dhe qëndresë. Fitorja do të jetë e shqiptarëve dhe e PD-së”, tha ai.
Akuza ndaj Peleshit për fshehjen e dosjes së Ballukut
Kryedemokrati akuzoi edhe kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se ka shkelur ligjin duke mbajtur të fshehura dokumentet e Prokurorisë së Posaçme lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Berisha tha se materialet e dërguara nga SPAK nuk duhet të mbahen të mbyllura në kasafortë, pasi ligji parashikon që ato t’u vihen në dispozicion anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe deputetëve.
“Prokuroria ka dërguar dokumente që, sipas ligjit, duhet t’u shpërndahen deputetëve. Ato po mbahen të fshehura sepse aty dalin komunikime, tenderë dhe prova që implikojnë Ramën dhe njerëzit e tij. Kjo është arsyeja pse duan t’i mbulojnë”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se mbrojtja që Rama po i bën Ballukut lidhet me presionet dhe provat që, sipas tij, ndodhen në dosje, përfshirë komunikime mesazhi dhe materiale filmike.
Thirrje për mobilizim total
Në përfundim, Berisha u bëri thirrje strukturave të PD-së dhe qytetarëve që të angazhohen maksimalisht në mobilizimin për protestën e 22 dhjetorit dhe për aksione të tjera në vijim.
“Axhenda jonë do të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë. Me të gjitha format, kudo, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ramën nuk ka forcë që e shpëton nga vullneti i popullit shqiptar”, përfundoi kreu i PD-së.
