Bido i nxjerr skandalin Janullatosit dhe zbulon se Kryepeshkopi ka pasaportë diplomatike greke, reagon Kisha Ortodokse

Data

Drejtori i Arkivave, Ardit Bido dhe Kisha Ortodokse Shqiptare janë përplasur në distancë. Këtë të shtunë studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ardit Bido, në një postim në rrjetet sociale ka publikuar një dokument, që sipas tij, tregon se Kryepeshkopi Ortodoks Anastas Janullatos ka pasaportë greke. Bido shkruan se Kryepeshkopi ka takuar eurodeputetin Fredi Beleri për këtë arsye në qeli, ndërsa pyet se si u bë diplomat grek Kryepeshkopi, kur ligji përcakton vetëm shërbimin diplomatik dhe atë sekret? Ndërkohë ndaj zotit Bido ka bërë një reagim dje në rrjetet sociale, Radio “Ngjallja”, e cila është organ i Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë.

Postimi i plotë i Ardit Bidos

A e di ti që kryepeshkopi Anastas është diplomat grek në pashaportë? Për këdo që pyet pse Kryepeshkopi Anastas pranon e viziton vetëm të burgosurin Beleri dhe jo Dakon, Goron, Kokën e çdo politikan tjetër ortodoks që kalon të njëjtat vështirësi, ndoshta nuk e ka parë asnjëherë këtë dokument, pasaportën e tij diplomatike greke, që në fakt e ka vendosur vetë në databaza publike shqiptare, por që mediat nuk e kanë publikuar kurrë, edhe pse janë të gatshme të publikojnë çdo detaj të nacionalizmit politik grek. Ligji 4781/2021 grek për pasaportat diplomatike, si dhe paraardhësi i tij, përcaktojnë në mënyrë të kufizuar pozicionet që më Greqi kanë të drejtë të marrin pasaportë diplomatike greke, ku në asnjë moment nuk përcaktohet kleri i Kishave jashtë Greqisë. Përjashtimin mund ta bëj vetëm ministri i Jashtëm grek, për personel diplomatik, ushtarak a të shërbimeve sekrete. Ndaj, me të drejtë lind pyetja si ai e ka këtë pasaportë? Fakti që ai sot mban edhe pasaportën shqiptare, që nuk ia dha asnjë president ortodoks që ka pasur Shqipëria, por ia dha një bektashi, nuk ndryshon gjë. Ai, sipas enturazhit të vetë, vijon përdor vetëm pasaportën diplomatike greke, duke thyer rekordin si diplomati më jetëgjatë grek në Shqipëri, teksa në ambasada e konsullata, mbajtësit e pasaportave diplomatike ikin e vijnë. Kur Beleri, që dikur dilte krah më krah me kreun e Agimit të Artë në Greqi, na thotë se Kryepeshkopi Anastas ka punuar për minoritetin dhe i ka dhënë Belerit kurajo të tejkalojë sfidat e gjyqit për vjedhje votash, nuk kemi asnjë arsye të mos e besojmë. Fundja, a nuk është vetë kryepeshkopi Anastas i zgjedhur jashtligjshmërisht peshkop në Greqi nga një Sinod i Shenjtë i jashtëligjshëm i instaluar nga Junta ushtarake e ekstremit të djathtë në fundvitet ‘60, i lënë pa asnjë peshkopatë deri në 1990 për shkak të zgjedhjes së jashtëligjshme deri sa u katapultua në Tiranë me mbështetjen e disa politikanëve shqiptarë, kundër dëshirës së besimtarëve të këtushëm? A nuk është ai që nuk ka thënë kurrë “ortodoks shqiptarë”, por ka folur për pakica e shumë etni në Kishën më homogjene, ku mbi 90% janë shqiptarë ortodoksë? Të zgjedhurit e ekstremit sot u bënë bashkë!

Ja postimi i Radio “Ngjallja”

Drejtuesi më jetëgjatë i një institucioni shtetëror, manipuluesi i dokumenteve zyrtare z. Ardit Bido mashtron sërish shqiptarët duke hedhur baltë mbi personin e Kryepiskopit Anastas. Ditën e djeshme në disa portale u publikua pasaporta e Kryepiskopit Anastas nga historiani 37 vjeçar, drejtuesi më jetëgjatë i një institucioni shtetëror, i njohur për qëndrimet nacionaliste ekstreme të tij dhe nxitjen e urrejtjes etnike në vend. Ky riosh që karrierën e tij e ngriti duke sulmuar Kishën Ortodokse dhe besimtarët e saj, një nga ithtarët më fanatik dhe një ekstremist me tipare të një kamikazi fetar që ndikoi drejtpërdrejt në rezultatet e deformuara të Censit 2011 dhe 2023 përsa i përket numrit të besimtarëve të komunitetit Ortodoks, ky armik i përbetuar ndaj çdogjëje ortodokse që përzuri nga Arkivi ata punonjës që mbanin emra Ortodoksë nuk rresht së manipuluari të vërtetën dhe sulmet ndaj Kishës dhe Kryepiskopit. Ka ardhur koha që ky manipulator dhe falsifikator të gjejë një punë tjetër dhe të largohet nga AQSH. Më poshtë po sjellim një padi nga avokati z. Kujtim Cakrani ndaj z. Ardit Bido me akuzën e falsifikimit dhe manipulimit. (Shkëputur pjesërisht nga Gazeta “Telegraf”). Nga av. Kujtim Cakrani. “Në Shqipërinë e tranzicionit, problemi më i pazgjidhur i demokracisë është marrja e pronës së patundur nga pronarët e vërtetë. Qeveritarët, duke shpërdoruar pushtetin dhe detyrën e tyre, në bashkëpunim me Mafien kanë tjetërsuar pronat, qoftë ato me ish pronarë, qoftë edhe pronat e shtetit, duke falsifikuar dokumentet, paskëtaj, këto dokumente të falsifikuara i kanë arshivuar në institucionet shtetërore, sikurse Kadastra, në Arshivën Qëndrore të Shtetit, që , paskëtaj, tjetërsimin e pronave nëpërmjet falsifikimit të dokumentacioneve ta ligjësonin në gjykata, apo në institucionet e dhënies të titujve të pronësisë. Skandali i Ardit Bido, drejtor i Përgjithshëm i Arshivës së Shtetit. Me vendimin e Ardit Bido, drejtor i Përgjithshëm i Arshivës së Shtetit, një Akt Pronësie i vitit 1921, i falsifikuar është depozituar në arshivën e Arkivit Qendror të Shtetit, sipas vendimit të firmosur nga Ardit Bido, datë 25 janar 2019 me numër protokolli 877/2. Drejtori i Përgjithshëm i Arkivës Qendrore të Shtetit, Ardit Bido, e firmos shkresën e pranimit të një dokumenti pronësie të falsifikuar, i ndërgjegjshëm që është i falsifikuar. Motivet pse e pranon, Ardit Bido duhet t’i japë në gjyq përpara drejtësisë”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related