Policia italiane ka arrestuar një shtetas shqiptar, i cili drejtonte një rrjet trafikimi kokaine nga arresti shtëpiak, duke e kthyer banesën e tij në provincën e Torinos në një laborator të mirëfilltë droge.
Operacioni u zhvillua në zonën e Gravere, ku gjatë bastisjes autoritetet sekuestruan 3,5 kilogramë kokainë, 61 gramë metamfetaminë, si dhe pajisje të specializuara për përpunimin dhe paketimin e lëndëve narkotike.
Sipas hetimeve, i arrestuari, i dënuar më parë për vepra penale të lidhura me drogën, vazhdonte të komandonte aktivitetin kriminal nga shtëpia ku po vuante masën e arrestit shtëpiak, duke u ndjerë i paprekshëm nga ligji.
Banesa ishte e izoluar, e rrethuar me gardh të lartë dhe e ruajtur nga gjashtë qen të mëdhenj dhe agresivë, të përdorur për të penguar çdo tentativë ndërhyrjeje nga policia.
Pas mbledhjes së provave, hetuesit ndërhynë dhe zgjeruan kontrollet edhe në një banesë të dytë, po në pronësi të të arrestuarit, e cila ndodhej pranë shtëpisë ku ai mbahej në arrest.
Në këtë ambient, policia gjeti makineri për përpunimin e drogës, pajisje për paketim, si dhe një makinë shtypi me krik hidraulik, e përdorur për ngjeshjen e lëndëve narkotike për shpërndarje në treg.
Prokuroria Publike e Torinos ka kërkuar dhe marrë konfirmimin e arrestimit, ndërsa ndaj shqiptarit është caktuar masa e paraburgimit në burg, duke i dhënë fund aktivitetit kriminal që drejtohej edhe pse nën masë sigurie.
