Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të mblidhet ditën e premte, më 19 dhjetor, për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres, ministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Kërkesa e SPAK i hap rrugë vendosjes së masave të sigurisë ndaj Ballukut, përfshirë “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe procedura të dyshuara abuzive të prokurimit publik.
Procedura që ndjek Kuvendi
Sipas neneve 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit, kërkesa e SPAK i është paraqitur Kryetares së Kuvendit, e cila e ka përcjellë për shqyrtim në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Paralelisht, deputetja Belinda Balluku është vënë në dijeni dhe ka të drejtë të paraqesë shpjegimet e saj, me shkrim ose verbalisht, si dhe të përfaqësohet nga mbrojtës ligjor.
Brenda dy javëve, Këshilli duhet të hartojë një raport për seancën plenare, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për autorizimin e masës së sigurisë. Raporti i shpërndahet të gjithë deputetëve dhe çështja futet si pikë e parë në rendin e ditës së seancës pasardhëse.
Vendimi përfundimtar merret nga Kuvendi me votim të hapur. Nëse Kuvendi nuk shprehet brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës, ajo konsiderohet e rrëzuar.
Akuzat ndaj Belinda Ballukut
SPAK ka bërë të ditur se Belinda Balluku është marrë e pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në lidhje me procedurën e prokurimit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.
Po ashtu, ajo ka marrë statusin e personit nën hetim për të njëjtën vepër penale edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi, që lidhen me projektet e Unazës së Jashtme të Tiranës dhe segmentet rrugore:
- Sheshi Shqiponja – Lumi i Tiranës (Loti 1 dhe QMT)
- Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri (Loti 2)
- Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë (urat mbi lumin Tirana)
- Unaza e Jashtme e Tiranës (Lotet 4, 5, 6 dhe 7)
Kërkesa e SPAK shënon një fazë të re në hetimin penal ndaj një prej figurave më të larta të qeverisë, ndërsa vendimi përfundimtar tashmë pritet nga Kuvendi i Shqipërisë.
