Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur pretencën për 29 persona të akuzuar në çështjen e abuzimit me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Sipas dosjes, 27 prej tyre janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të institucionit, ndërsa 2 janë përfaqësues të një operatori ekonomik. Të pandehurit akuzohen për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “falsifikim dokumentesh”, të kryera në bashkëpunim.
Shumica e të akuzuarve kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, çka në rast shpalljeje fajtorë do të sjellë uljen e dënimit me 1/3. Për disa prej tyre SPAK ka kërkuar 3 vite burg (me përfitimin e uljes), si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Për një pjesë tjetër janë kërkuar dënime nga 1 deri në 1.6 vite burg, me pezullim të ekzekutimit dhe konvertim në shërbim prove për periudha të ndryshme.
Ndërkohë, pesë persona të tjerë po gjykohen me procedurë të zakonshme, të ndarë nga pjesa tjetër e çështjes. Vendimi i gjykatës pritet pas përfundimit të fazës së mbrojtjes.
