Shehaj: SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut, moment historik për Shqipërinë! Rama do tentojë të mbrojë pushtetin duke sulmuar drejtësinë

Data

Kryetari i Partisë Mundësia dhe deputeti Agron Shehaj ka reaguar pas kërkesës zyrtare të Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, çka i hap rrugë arrestimit të saj për çështje që lidhen me abuzime në tendera dhe procedura prokurimi.

Në një reagim publik, Shehaj e cilësoi këtë zhvillim si një moment historik për vendin, duke theksuar se drejtësia po prek për herë të parë majat e pushtetit politik. Sipas tij, ky proces rrezikon të pengohet nga mazhoranca qeverisëse, e cila pritet të dalë në mbrojtje të Ballukut.

“SPAK-u ka kërkuar arrestimin e Belinda Ballukut dhe kërkesa është dorëzuar në Parlament. Reagimi i kryeministrit ishte i menjëhershëm, duke sinjalizuar se mazhoranca nuk ka ndërmend ta lejojë heqjen e imunitetit,” deklaroi Shehaj.

Ai shprehu bindjen se kryeministri Edi Rama do të përdorë shumicën parlamentare për të bllokuar procesin, duke paralajmëruar një sulm frontal ndaj Prokurorisë së Posaçme.

Sipas Shehajt, nga ky moment pritet një përplasje e drejtpërdrejtë mes pushtetit politik dhe drejtësisë së re. “Do të mbrojnë Ballukun, do të sulmojnë SPAK-un dhe do të përpiqen të ndalin këtë ndryshim epokal në Shqipëri,” u shpreh ai.

Kreu i Partisë Mundësia theksoi se qytetarët duhet të qëndrojnë në krah të drejtësisë, pasi sipas tij, proceset hetimore ndaj zyrtarëve të lartë po tregojnë se askush nuk është mbi ligjin.

“Ky është një moment historik. I gjithë rrethi i ngushtë i pushtetit po përballet me drejtësinë: po hetohen, po merren të pandehur dhe po arrestohen. Kjo është përplasja e fundit mes pandëshkueshmërisë dhe shtetit të së drejtës,” deklaroi Shehaj.

Në përfundim, ai theksoi se Shqipëria ndodhet përballë një prove vendimtare për funksionimin e demokracisë dhe se mbështetja ndaj institucioneve të drejtësisë është thelbësore për të ardhmen e vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related